Kreu i Qeverisë ushtarake të Mianmarit ka amnistuar afër 4.900 të burgosur. Amnistia u lëshua në ditën kur ky shtet shënon Vitin e Ri tradicional, raportoi media shtetërore. Një organizatë e pavarur tha se në mesin e të liruarve janë të pakën 22 të burgosur politikë.
Të paktën 19 autobusë me të burgosur u larguan nga burgu Insein në Jangon dhe familjarët dolën te porta e burgut për të pritur të afërmit e tyre mëngjesin e 17 prillit.
Rrjeti i Mianmarit për të Burgosur Politikë, një grup i pavarur vëzhgues që regjistron shkeljet e të drejtave të njeriut në burgjet e Mianmarit, tha përmes një deklarate se sipas informatave fillestare, të paktën 22 të burgosur politikë janë liruar.
Gjenerali Min Aung Hlaing, kreu i Këshillit Ushtarak që udhëheq me shteti, fali 4.893 të burgosur, raportoi MRTV. Trembëdhjetë të huaj po ashtu u liruan dhe u dëbuan nga Mianmari, raportoi media shtetërore.
Të burgosurit e tjerë morën ulje dënimi, përveç atyre që janë të dënuar për akuza të rënda si vrasje dhe përdhunim, apo të atyre që janë të dënuar për çështje të sigurisë.