Dyqanet online kineze “Temu” dhe “Shein” do t’i rrisin çmimet për shkak të doganave të reja amerikane

Platformat e njohura për tregti elektronike “Temu” dhe “Shein” kanë njoftuar rritje të çmimeve nga data 25 prill, si përgjigje ndaj kufizimeve të reja tregtare të vendosura nga SHBA.

Të dyja kompanitë, të cilat vitet e fundit kanë fituar popullaritet të madh për shkak të çmimeve të ulëta dhe gamës së gjerë të produkteve, e kanë arsyetuar rritjen e çmimeve me shtimin e kostove operative.

“Për shkak të ndryshimeve të fundit në rregullat dhe tarifat e tregtisë globale, kostot tona janë rritur. Për të ruajtur cilësinë që ju e prisni, do të na duhet të përshtatim çmimet nga data 25 prill”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre, të transmetuar nga agjencia Reuters.

Doganat e reja janë rezultat i një mase të nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump, me të cilën shfuqizohet e ashtuquajtura “vrimë doganore” — një rregullore që deri tani lejonte mallra nën vlerën 800 dollarë të hynin në SHBA pa taksa. Urdhri hyn në fuqi më 2 maj.

“Temu” dhe “Shein” i kanë bërë thirrje përdoruesve të tyre të blejnë me çmimet aktuale deri më 25 prill, përpara se të hyjnë në fuqi tarifat e reja.