Rusia deklarohet për sulmin e përgjakshëm në Sumy

Një ditë pasi një sulmi raketor rus në qytetin ukrainas Sumy vrau të paktën 34 persona, duke përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi 117 të tjerë, Rusia tha sot se objektivi ishte një “objekt ushtarak”.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia “godit objektiva ekskluzivisht ushtarakë ose objektiva të lidhur me strukturat ushtarake”, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me sulmin ajror në një qytet verilindor të Ukrainës që tronditi rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se në sulm u përdorën dy raketa balistike të tipit Iskander dhe se u godit një “takim i komandantëve ukrainas” në Sumy. Në të njëjtën kohë, ata akuzuan Kievin për “përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore”.

Ukraina njoftoi një ditë më parë se raketat ruse kishin rënë në një pjesë me popullsi të dendur të qytetit, duke goditur ndërtesat e banimit dhe një stacion autobusi. Presidenti Volodymyr Zelensky e quajti sulmin një “akt terrorist” dhe bëri thirrje për një përgjigje më të fortë nga komuniteti ndërkombëtar.

Sumy ndodhet pranë kufirit rus dhe ka qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve ajrore që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, por sulmi i djeshëm ishte një nga më vdekjeprurësit në kohët e fundit. Ky është sulmi më i keq ndaj civilëve në Ukrainë këtë vit.

Sulmi shkaktoi një valë dënimesh nga Bashkimi Evropian, SHBA, Kombet e Bashkuara dhe liderë të shumtë botërorë, të cilët paralajmëruan se sulme të tilla përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Rusia nuk ka ofruar ende asnjë provë të verifikuar në mënyrë të pavarur për pretendimet e një objektivi ushtarak.