Trumpi paralajmëron “sanksione masive” ndaj Rusisë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të premten në një postim në rrjetin social “Truth Social” se është duke e konsideruar seriozisht që t’i vendosë sanksione Federatës Ruse, deri kur të konkretizohet armëpushimi dhe marrëveshja e paqes me Ukrainën, shkruan The Guardian.

“Duke u bazuar në faktin se Rusia është absolutisht duke ‘shkatërruar’ Ukrainën në fushën e betejës për momentin, unë jam duke e konsideruar seriozisht që t’i vendosi sanksione bankare, sanksione të tjera, dhe tarifa Rusisë, derisa të arrihet armëpushimi dhe një marrëveshje finale e paqes”, ka shkruar presidenti amerikan.

Deri më tani, SHBA-ja ka sanksione të shumta që i ka vendosur më herët ndaj Rusisë.

Nuk është akoma e qartë nëse Trumpi kërkon të shtrëngojë sanksionet ekzistuese ose të shtojë sanksione të reja.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, SHBA-ja, BE-ja dhe shtete të tjera në gjithë botën i kanë vënë më shumë se 21 mijë sanksione ndaj Rusisë. Kryesisht industria e naftës ka qenë më e prekura. Shtetet perëndimore kanë ndaluar edhe eksportet që Rusia do të mund t’i përdorte për armatim, si dhe importet e arit e diamanteve nga Rusia, fluturimet nga Rusia dhe kanë sanksionuar oligarkët e lidhur me Kremlinin.