7 Marsi/ Erion Veliaj uron mësuesit nga qelia dhe citon Pjetër Arbnorin: Padyshim që do të vij i ndershëm, se kemi ende shumë punë
Pavarësisht situatës së tij të pazakontë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka munguar as këtë vit në traditën e tij të urimit për Ditën e Mësuesit. Ai u ka dërguar një letër të gjithë mësuesve, duke i falënderuar për kontributin e tyre dhe duke u shprehur mirënjohje për punën e palodhur në edukimin e brezave.
“Të dashur mësues,
Ja ku erdhi 7 Marsi dhe pavarësisht vendit ku ndodhem, s’mund të rrija pa ju uruar Gëzuar Ditën e Mësuesit, ndonëse do të kisha dashur që, këto fjalë zemre, t’ua shkruaja, si çdo vit, nga zyra ime, në krye të punëve të qytetit.
Vite më parë, Pjetër Arbnori, me një shkrim imcak mbi fletë cigaresh, që i nxori fshehurazi nga burgu, i shkroi nënës: “Ti mos u mërzit se unë do të vij e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht se unë do të vij i ndershëm në shtëpi…”
Me të njëjtat fjalë dua t’ju drejtohem edhe unë, Ju “nënave” të dyta, siç ju kemi konsideruar gjithnjë. Padyshim që do të vij i ndershëm, se kemi ende shumë punë për të bërë.
Se janë të mira punët që kemi nisur, kemi bërë e do të bëjmë akoma, ndaj s’ka pengesë të na ndalojë për t’i çuar deri në fund”, thekson ai.