Shasivari – O’Callaghan: Irlanda, partnere e rëndësishme në avancimin e reformave dhe agjendës evropiane
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi takim bilateral me Ministrin e Drejtësisë së Irlandës, Jim O’Callaghan, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që mbahet në Budva të Malit të Zi. Në fokus të takimit ishin thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe mbështetja e Irlandës në procesin e integrimit evropian.
Ministri Shasivari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj vendit tonë, si dhe për angazhimin e saj gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit dhe forcimit të këtij partneriteti.
Gjatë takimit, ministri e informoi homologun irlandez për agjendën reformuese të shtetit, me theks të veçantë në përgatitjen e Kodit të ri Penal, Ligjit të ri të Procedurës Penale, Ligjit për Prokurorinë Publike, Ligjit për Buxhetin Gjyqësor dhe Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë.
Një ndër temat kryesore ishte digjitalizimi i sistemit të drejtësisë. Ministri Shasivari kërkoi mbështetjen, ekspertizën dhe përvojën irlandeze në hartimin dhe zbatimin e Strategjisë për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në sistemin e drejtësisë, me synim modernizimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit institucional.
Gjatë bisedimeve u theksua edhe rëndësia e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, rekomandimet e të cilit përbëjnë orientim të rëndësishëm në zbatimin e prioriteteve reformuese.
Ministri Shasivari theksoi se reformat në drejtësi kërkojnë vendosmëri, përgjegjësi dhe partneritete të qëndrueshme evropiane, me synim ndërtimin e një sistemi drejtësie më efikas dhe modern.