Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ka bërë me dije vendimin e Këshillit të Minstrave përsa i përket debatit publik për mbylljen apo kufizimin e aplikacionit Tik-Tok.
Manastirliu ka theksuar se qeveria ka vendosur mbylljen e përkohshme të këtij rrjeti social për një periudhë 12 mujore duke kufizuar kështu aksesin e përdorimit në Shqipëri, sidomos nga fëmijët. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi për 1 javë ose disa ditë, në varësi të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike që do të punojë me entet përkatëse për mbylljen e platformës.
Gjithashtu ajo ka bërë me dije se qeveria ka nisur një komunikim me përfaqësues të Tik-Tok për vendosjen e filtrave të domosdomshëm për moslejimin e promovitimit të dhunës si dhe bullizmit online në gjuhën shqipe.
“Qeveria ka ndërmarrë një seri vendimesh të rëndësishme. Kemi marrë vendimin për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës TikTok. Në takimet dhe konsultimet që ne kemi kryer, prindërit kanë rekomanduar dhe kanë qenë pro mbylljes apo kufizimit të paltformës TikTok. Ne kemi ngritur një grup pune me pjesëmarrjen e institucioneve që kanë përgjegjësi direkte në mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve, kemi analizuar efektete që vijnë nga këto platforma online, dhe pasojat që lidhen me rastet direkte të dhunës fizike të nxitur nga këto elemente në mjedisin digjital. Kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për platformën TikTok.
Ky kufizim do të jetë për një periudhë 12-muroje, periudhë e cila do të na lejojë të marrim masa në bashkërendim me përfaqësuesit e Tik Tok. Ne kemi nisur një komunikim me përfaqësueist e TikTok për marrjen e masave, duke filluar nga filtrat sa i përket moshës dhe filtrave në lidhje me të gjithë aspektet e komunikimit në gjuhën shqipe. Duke vendosur këto filtra do të ndalojmë promovimin e sjelljeve të padëshiruara. Periudha e kufizimit do të jetë deri në 12 muaj.
Është mbyllje e përkohshme e aksesit në TikTok. Për 12 muaj do të marrim të gjitha masat në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë. Do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike që do të punojë me entet përkatëse dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore që mund të jetë disa ditë ose një javë e pak do të realizojë këtë ndërprerje të përkohshme në patformën e TikTok”, tha Manastirliu.