Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, meqë të akuzuarit nuk janë deklaruar rreth fajësisë.
Avokati i Shabanit, Besnik Berisha, ka deklaruar se klienti i tij s’mund të deklarohet sot rreth fajësisë, meqë sot e ka pranuar aktakuzë, duke shtuar se aktakuza është voluminoze. Ai ka thënë se Shabanit i nevojitet kohë që ta lexojë aktakuzën, e pastaj të deklarohet lidhur me fajësinë, shkruan Reporteri.net.
Rreth fajësisë s’është deklaruar as Qerimi. Rrjedhimisht, seanca është ndërprerë, teksa ajo e radhës është caktuar për 17 mars.
Prokuroria Speciale e Kosovës, muajin e kaluar ngriti aktakuzë ndaj Shabanit dhe Qerimit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës që Prokuroria Speciale e ka ofruar për mediat pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, këta dy persona funksiononin bashkërisht në shërbim të organeve të inteligjencës së Serbisë.
Në aktakuzë thuhet se Bedri Shabani e Muharrem Qerimi, mblidhnin informacione e materiale të ndryshme në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe pastaj ia transferonin Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë.
Në dokumentin dy faqësh, të dispozitivit të aktakuzës, thuhet se informacionet drejt BIA-s, i kanë drejtuar përmes komunikimeve telefonike e takimeve fizike të zhvilluara në Serbi.
Aty përshkruhet edhe roli i secilit veç e veç.
Në aktakuzë thuhet se “Nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij më dt. 05.06.2024, i pandehuri B.Sh, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si “BIA”) në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarjet dhe objekte specifike, të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin……, dhe masakrën e ……. në atë mënyrë që i pandehuri, të dhënat dhe informacionet në fjalë, ia kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIAS-s, S.R, përgjegjës për……….gjatë kohës së Luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor –ushtarak në masakrën e ……, përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike, të zhvilluara në territorin e Serbisë, çka me këto veprime, i pandehuri ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendit juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-në në krijimin e një narrative të pavërtetë, me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së….. , me të ashtuquajturën “……..” ne…….., kinse janë bërë trafikim organesh, si dhe vë në dyshim të vërtetën e masakrës së ………….. duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe B.J, që të ndërmarrin veprime operacionale, të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Kosovës.”
Ndërkohë që nuk është e ditur se prej kur Shabani, ish-punëtor i Doganës, i kishte shërbyer BIA-s serbe, për të akuzuarin Muharrem Qerimi, prokuroria pretendon se i njëjti ishte agjent i Serbisë që nga viti 2012 e deri në arrestimin e tij në 2024.
Pos informacioneve për UÇK-në, Qerimi vet një ish-punonjës i Policisë, ofronte edhe të tjera të dhëna për BIA-n, përfshirë emra të eprorëve të Policisë, AKI-së, IPK-së, emra të dëshmitarëve në raste të ndryshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar.