Në kërkim nga autoritetet austriake, ndalohet në Morinë 30-vjeçari nga Presheva

Një 30-vjeçar, banues në Preshevë, është ndaluar nga policia në Morinë, pasi tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet austriake.

Përmes një njoftimi, policia shqiptare bën të ditur se si rezultat i kontrolleve, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të autoriteteve austriake, për trafikim të lëndëve narkotike.

Ndërkohë Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Vjenën, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Austri.

Njoftimi i Policisë:

PKK Morinë-Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet austriake, për trafikim të lëndëve narkotike, ndalohet 30-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të bazuara tek analiza e riskut, të kryera në kuadër të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare të Morinës, me objektiva goditjen e krimeve në kufi dhe parandalimin e lëvizjes së shtetasve që janë në kërkim, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Kukës, shtetasi O. K., 30 vjeç, banues në Preshevë.

Nga verifikimet e detajuara dhe intervistimi në vijë të dytë, ai rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të autoriteteve austriake, për trafikim të lëndëve narkotike.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Vjenën, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Austri./A2