Vonesat në miratimin e Ligjit për Arsim të Mesëm dëmtojnë edhe më shumë realizimin e procesit mësimor në shkollat përkatëse. Mësimdhënësi i Historisë, Naser Miftari tha për Alsat se mes të tjerash, reformat në arsimin e mesëm duhet të përfshijnë ndërprerjen e punësimeve partiake. Sipas Miftarit, reformat duhet të rikthejnë vlerën e institucionit shkollë dhe mësimdhënës.
“Unë mendoj se të parat gjërat që duhet ti bëjmë apo që pres personalisht dhe të gjithë kolegët besojnë se janë të atij mendimi, departizimi dhe depolitizimi duhet menjëherë të filloj. Çdo emërim, çdo punësim duhet të kaloj filtrat e të merituarës dhe jo të asaj që e përmendim viteve të fundit apo edhe dekadave të fundit. Patjetër duhet të bëhen reforma edhe në aspektin institucional sepse si duket institucioni shkollë mos të them ka humbur po ka zbehur veprimin, lidhshmërinë me institucionet që dalin nga Ministria e Arsimit”, tha Naser Miftari, mësimdhënës i Historisë.
Burim Aliu, mësimdhënës i Gjeografisë kërkon që reformat të rikthejnë formën e gjimnazit klasik siç ishte dikur ku lëndët e Shkencave matematiko-natyrore do të ligjëroheshin nga viti i parë e deri në atë të katërt. Sipas Aliut, gjimnazet tashmë janë shndërruar edhe në shkolla profesionale.
“Pikë së pari duhet të kthehet forma e gjimnazit klasik. Të jenë ato lëndë të cilat mund ti quaj më së miri, për shkak se shumica prej fakulteteve që janë, sidomos lëndët natyrore, po filloj prej matematikës, fizikës, kimisë, biologjisë dhe gjeografisë kanë filluar të stagnojnë dhe vendohen lëndë të tjera të cilat mbase nuk janë të nevojshme. Por, ato duhet në shkollat, zakonisht në shkollat profesionale edhe normal kjo që duhet të bëhen këto reforma dhe po punohet”, tha Burim Aliu, mësimdhënës I Gjeografisë.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ditë më parë tërhoqi nga procedura parlamentare Ligjin për Arsimin e Mesëm. Sipas ministres. ligji do të përpunohet dhe më pas do të kthehet në Kuvend. Lidhur me atë që parasheh ky ligj, Janevska tha se mes tjerash do të përmbajë ndryshime që kanë të bëjnë me maturën shtetërore, parashihet të ketë arsim falas për fëmijë që janë në institucionet korrektuese dhe penale, por edhe arsim falas për fëmijët e kategorive të cenueshme. Gjithashtu do të përfshijë më shumë inkluzivitet, asistentë arsimor në arsimin e mesëm, shpërblime për nxënësit e talentuar gjë që nuk ishte deri më tani si dhe një kategori që ka të bëj me këshilltarin profesional në shkollë.