Durmishi: Ekonomia u rrit për 3,8% në vitin 2025, BPV-ja për kokë banori po i afrohet 10 mijë eurove

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka theksuar se ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka shënuar rritje prej 3,8 për qind gjatë vitit 2025, ndërsa Bruto Prodhimi Vendor (BPV) për kokë banori po i afrohet shifrës prej 10 mijë eurove.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Durmishi i ka cilësuar këta tregues si lajme pozitive për ekonominë e vendit dhe si motivim për të vazhduar me përkushtim angazhimin institucional.

“Këto janë lajme të mira dhe tregues që na japin arsye të vazhdojmë edhe më me përkushtim punën tonë”, ka deklaruar Durmishi.

Ai ka theksuar se synimi kryesor mbetet ruajtja e trendit pozitiv ekonomik edhe në periudhën e ardhshme, përmes investimeve të reja, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët.

“Qëllimi ynë është që kjo rritje të vazhdojë edhe në periudhën që vjen, me investime të reja, vende pune dhe kushte më të mira për qytetarët”, është shprehur ministri.

Sipas Durmishit, qeverisja duhet të matet me rezultatet konkrete që qytetarët i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme.

Ai ka nënvizuar se angazhimi institucional merr kuptim atëherë kur qytetarët shohin përmirësime reale dhe kanë më shumë mundësi për veten dhe familjet e tyre.

“Kur qytetarët shohin përmirësim dhe kanë më shumë mundësi për veten dhe familjet e tyre, atëherë e dimë se puna jonë ka kuptim dhe se ia vlen çdo lodhje”, ka përfunduar ministri Besar Durmishi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo