Mesazh i muajit të Ramazanit 1446 H (2025)
أَعُوذُ بِاللَّهِ مِنَ الشَّيطَانِ الرَّجِيمِ
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ.
_________________________
“O ju që keni besuar. Agjërimi është bërë obligim për ju sikur ka qenë obligime dhe për ata që ishin para jush. Për t’ju bërë më të devotshëm.” (El: Bekaretu: 183)
Të nderuar besimtarë e besimtare!
Vëllezër e motra!
Me zemër të hapur dhe shpirt të përulur sonte po hyjmë në muajin e bekuar të Ramazanit, muajin e mëshirës, dijes, tolerancës, humanizmit, muajin e devotshmërisë, me një fjalë muajin e të gjitha të mirave, i cili na fton në reflektim, përkushtim dhe afrim me Krijuesin e Gjithësisë.
Ky muaj i madhërishëm na kujton rëndësinë e agjërimit, përulësisë dhe veprave të mira, duke na udhëhequr drejt një pastrimi shpirtëror e fizik.
Agjërimi nuk është vetëm një akt i privimit nga ushqimi dhe pija, por një udhëtim shpirtëror që na ndihmon të formojmë vetëdijen tonë për të mirën, për të forcuar lidhjen me Allahun Fuqiplotë dhe për të kultivuar ndjeshmërinë ndaj të tjerëve.
Në këtë muaj të dijes dhe urtësisë, le të kërkojmë dituri dhe të thellojmë kuptimin tonë përmes leximit dhe reflektimit.
Ramazani është gjithashtu një mundësi për të forcuar lidhjet mes nesh, për të ushtruar tolerancën, mëshirën dhe humanizmin. Ai na fton të jemi më të dashur, më të kujdesshëm ndaj njerëzve e sidomos ndaj atyre që kanë nevoja të veçanta dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të paqtë.
Lusim Allahun e Madhëruar që ky muaj të sjellë paqe në zemrat tona dhe në mbarë botën. Lutemi për ndërprerjen e çdo konflikti dhe për fundin e vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm. Le të jetë ky muaj një periudhë e pajtimit, e faljes dhe e afrimit me njëri-tjetrin.
Vëllezër e motra!
Më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame dhe në emrin tim personal, t`ju uroj me gjithë zemër një Ramazan të begatë, të mbushur me mirësi dhe mëshirë hyjnore.
Allahu na dhëntë forcën për ta kryer agjërimin me devotshmëri me lehtësim dhe i lutemi të Madhit Zot që t`na shpërblejë me faljen dhe mëshirën e Tij të pafund.
Zoti ju bekoftë juve dhe familjet tuaja.
Reisul-Ulema
H. Hfz. Shaqir ef. Fetai