Konsolidimi i sektorit të turizmit me synimin për të kaluar nga një turizëm sezonal në një ofertë turistike gjithëvjetore mbetet në fokus të politikave të qeverisë shqiptare për periudhën afatmesme 2027-2029.
Sipas relacionit të projektbuxhetit, objektivi kryesor është rritja e peshës së turizmit në ekonominë kombëtare, me kontributin e këtij sektori në Prodhimin e Brendshëm Bruto që parashikohet të stabilizohet në nivelin 33% gjatë periudhës 2027-2029, nga 26,4% që ishte në vitin 2025.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe tregut të punës dhe zhvillimit rajonal. Sipas parashikimeve, niveli i punësimit në sektorin turistik pritet të rritet nga 8,6% në vitin 2026, në 8,7% në vitin 2027, për të arritur në 8,8% përgjatë viteve 2028-2029.
Në të njëjtën kohë, parashikohet zgjerimi i kapaciteteve akomoduese në vend. Numri i strukturave akomoduese pritet të rritet nga 2 100 njësi në vitin 2027, në 2 150 njësi deri në vitin 2029.