Kasami në Samitin B40 në Sofje: Angazhim për zhvillim ekonomik dhe kulturor rajonal

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mori pjesë në Samitin prestigjioz të kryebashkiakëve B40 i mbajtur në Sofje, ku përfaqësoi Tetovën dhe ndau vizionin e tij për zhvillimin ekonomik dhe kulturor lokal.

Gjatë fjalimit të tij, Kasami theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor lokal si një alternativë e qëndrueshme për zhvillimin afatgjatë të rajonit.

“Bashkëpunimi Ekonomik dhe Kulturor Lokal është një koncept që përfshin angazhimin e komuniteteve lokale, bizneseve, institucioneve dhe organizatave në zhvillimin e përbashkët të aktiviteteve që ndihmojnë në forcimin e lidhjeve ekonomike, turistike dhe kulturore ndërmjet grupeve të ndryshme në një rajon ose qytet,” theksoi Kasami gjatë fjalimit të tij.

Ai vuri në dukje ndryshimet pozitive që po ndodhin në Tetovë, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe turizmit, ku investimet në gastro-turizëm, kulturë dhe tregti lokale po sjellin transformime të dukshme.

Kasami theksoi rolin kyç të lidhjeve kulturore në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe shprehu gatishmërinë e Komunës për organizimin e festivaleve me karakter multikulturor dhe multinacional.

Gjithashtu, Kasami përmendi përmirësimet në infrastrukturë, si ndërtimi i rrugëve, bujtinave dhe shtigjeve të ecjes, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë Tetovën për të shijuar natyrën dhe traditat lokale.

Në lidhje me tregtinë rajonale, ai theksoi rëndësinë e lehtësimit të procedurave tregtare dhe administrative, duke siguruar që Tetova do të vendosë të gjitha kapacitetet e saj administrative në dispozicion për të mbështetur bizneset lokale dhe për të përforcuar shkëmbimet tregtare dhe turistike.

“Tetova është e gatshme të vë në dispozicion të gjitha kapacitete administrative për të inkurajuar bizneset lokale që të përforcojnë shkëmbimin tregtar dhe turistik. Në këtë drejtim bizneset, autoritetet lokale dhe organizatat joqeveritare mund të bashkëpunojnë për të zhvilluar projekte që mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe ruajtjen e vlerave kulturore. Me investimet në infrastrukturë që lehtësojnë shkëmbimin ekonomik dhe kulturor, si krijimi i qendrave kulturore, hapësirave për tregti dhe aktivitete turistike, si dhe përmirësimi i transportit dhe komunikimit Tetova ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për të gjitha palët,” deklaroi Kasami.

Në përfundim, Kasami apeloi për intensifikimin e fushatave promovuese rajonale dhe përdorimin efektiv të marketingut për të tërhequr më shumë turistë dhe për të promovuar pasuritë natyrore dhe kulturore të qyteteve tona.

Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar për të forcuar lidhjet rajonale dhe për të kontribuar në një zhvillim të qëndrueshëm dhe harmonik ekonomik dhe kulturor.