Kuajt dhe dhitë pushtojnë rrugët e Manastirit

Prania e kuajve, dhive dhe kafshëve të tjera shtëpiake në rrugët e qytetit të Manastirit vazhdon të jetë problem për qytetarët, ndërsa autoritetet komunale ende nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje përfundimtare.

Kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, gjatë një seance të Këshillit Komunal, pranoi se pavarësisht reagimeve të shumta dhe aksioneve të ndërmarra, zgjidhja e këtij problemi po ecën me ritëm shumë të ngadaltë.

“Disi ngadalë po na ecin punët, pa dashur të fajësoj askënd. Është e pakuptueshme, ndihem i pafuqishëm. E njëjta gjë ndodhi edhe në Shkup, ku një pelë polli në bulevard. Në Manastir kemi stalla vetëm 200 metra larg një ish-restoranti dhe për këtë duhet të ushtrojmë presion të gjithë, si sektori civil, ashtu edhe këshilltarët dhe ne si pushtet lokal, në mënyrë që ta zgjidhim problemin”, deklaroi Konjanovski.

Ai shtoi se inspektorët komunalë kanë ndërmarrë disa aksione, por disa prej tyre kanë dështuar pasi, sipas tij, dikush i ka paralajmëruar paraprakisht pronarët e kafshëve, duke bërë që dhitë të mos gjendeshin në terren.

“Dhitë arrijnë deri në Shirok Sokak, për fat të keq, dhe edhe këtë duhet ta parandalojmë”, theksoi kryetari i Manastirit.

Qytetarët dhe këshilltarët komunalë kanë reaguar vazhdimisht gjatë periudhës së fundit për shkak të kafshëve shtëpiake, përfshirë kuajt, lopët dhe dhitë, të cilat lëvizin lirshëm nëpër rrugët e qytetit, duke krijuar situata që shkaktojnë shqetësim dhe rrezik për sigurinë në komunikacion.

Nga Komuna e Manastirit më herët kanë bërë të ditur se Inspektorati Komunal kryen kontrolle të rregullta dhe ndërmerr masa parandaluese dhe ndëshkuese ndaj personave që shkelin ligjet dhe vendimet komunale. Megjithatë, një nga vështirësitë, sipas autoriteteve, është se në disa raste pronarët e kafshëve nuk gjenden në vendngjarje.

Komuna ka miratuar edhe Vendimin për Rend Komunal, i cili në nenin 103 ndalon mbajtjen e çdo lloji të bagëtive të imëta dhe të trasha, shpezëve shtëpiake dhe bletëve brenda kufijve të zonës ndërtimore të qytetit. Po ashtu, ndalohet qëndrimi, kullotja dhe ushqyerja e kafshëve në sipërfaqet publike.

Sipas këtij vendimi, nëse në hapësira publike gjenden kafshë si kuaj, lopë, dele, gomarë, mushka, dhi apo shpezë, pa praninë e pronarit, ato mund të largohen me urdhër të inspektorit komunal dhe të vendosen në një hapësirë të posaçme në Kopshtin Zoologjik të Manastirit, për një periudhë deri në 15 ditë.

Pronari është i detyruar të paguajë shpenzimet e largimit, transportit dhe mbajtjes së kafshëve, si dhe kompensimin për dëmet që ato mund të shkaktojnë në sipërfaqet e gjelbra dhe hapësirat publike.

Pavarësisht ndalesave ligjore dhe kontrolleve të paralajmëruara, problemi vazhdon të mbetet i pranishëm në Manastir, ndërsa vetë kryetari i komunës pranon se deri më tani institucionet nuk kanë arritur ta zgjidhin atë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo