Universiteti Nënë Tereza nuk do të ndërtohet?!/ Shaqiri: Ku shkuan 35 milionë euro të premtuara për Universitetin

Ish ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri ka alarmuar se Universiteti Nënë Tereza në Shkup nuk do të ndërtohet me VLEN-in në Qeveri. Sipas tij në Byronë për Furnizime Publike nuk janë ndarë mjete, nuk ka plan dhe nuk ka ende leje për ndërtimin e këtij objekti nga Qyteti i Shkupit.

“Koalicioni VLEN muaj më parë deklaroi me krenari se ka siguruar 35 milionë euro për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
Sot, këto para nuk ekzistojnë askund! Nuk janë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nuk figurojnë në buxhetin e Universitetit, nuk gjenden as në planet e furnizimeve publike të ministrisë së arsimit dhe shkencës e as në planet e furnizimeve publike të Universitetit.
Pyes kto të VLENIT ato para ishin reale apo thjesht një mashtrim elektoral?
Ishin fonde të sigurta apo vetëm fjalë boshe për të manipuluar qytetarët?
E vërteta është e qartë: premtojnë miliona, por kur vjen koha për rezultate – rezultati është zero.
Politikanët mashtrues duhet të mësojnë nga kjo thënie e Napoleonit:
“Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë.” Ndaj, mos u lodhni duke premtuar, nëse nuk keni guximin të veproni pas premtimeve” ka shkruar Shaqiri.

Nga ana tjetër edhe kryeministri Mickovski ka premtuar se do të ndërtohet godina e Universitetit Nënë Tereza./TS/