Vrasja e Fatbardh Licit, Safet Bajri dhe dy të tjerë pritet të njihen me masat e arrestit! Krimet për të cilat akuzohen

Gjykata e Posaçme do ta nisë punën sot me shqyrtimin e masave të sigurisë për tre të arrestuar dhe të akuzuar për ekzekutimin e Fatbardh Licit. Dy prej tyre do të sillen nga qelitë, konkretisht Behar Bajri dhe Astmer Bilali, ndërsa Safet Bajri, i konsideruar si ‘truri’ i grupit kriminal, nga Blloku i Sigurisë.

Këta të tre do të përballen në Gjykatë me akuzat dhe me masën ‘arrest me burg’ dhënë më herët nga GJKKO. Ndonëse Prokuroria në njoftimin për zbardhjen e ngjarjes së 10 gushtit të 7 vjetëve më parë, u tregua e kujdesshme në lidhje me autorët, duke mos harruar prezumimin e pafajësisë, në njoftim konkretizohet edhe shkaku i vrasjes së Fatbardh Licit; për hakmarrje ndaj vrasjes së mikut të Bajrajve, Boran Bërçana dhe partneres së tij. Por SPAK, që rimerr në dorë sërish dosjen e bandave të Shkodrës, pas masakrës së Dobraçit të fundtetorit të vitit të shkuar, ka mbajtur në pranga edhe dy të rinj, të cilët konsiderohen si ‘ushtarët’ e Bajrajve. Madje Safet Bajri nuk e mohoi as publikisht në daljen në media njohjen me dy të rinjtë, Samuel Troshani dhe Izmir Sakica, të cilët u vetëdorëzuan për një rrahje në Shkodër, por që, në fakt, ndaj tyre u ngrit një akuzë e rëndë; ata kishin qenë në makinat e blinduara në Rranza të Bushatit kur shkuan të vrasin familjen Prendi, ngjarje e ndodhur gushtin e 2024-s.

Dy djemtë, përveç ngjarjes së Bushatit, ku sipas SPAK kanë vepruar në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë publik, janë të dyshuarit kryesor për pjesëmarrje në atentatin që përgjaku Dobraçin, ku u qëllua mbi Hamza Licin dhe Arlind Bushatin, të cilët u masakruan në makinën e tyre. Nga të shtënat dhe devijimi i mjetit të viktimave, humbën jetën edhe çifti Basha, të cilët po kalonin atë moment në vendin ku i ishte ngritur pritë mjetit të të rinjve. Sakica dhe Troshani janë lënë në arrest me burg për hetimet e tjera, ndërkohë që RENEA në të gjitha ‘vizitat’ e saj në Shkodër, pikë referimi të kontrollit ka pasur shtëpitë e Bajrajve dhe të Bilalëve, ndonëse SPAK nuk ngriti asnjë akuzë zyrtare në lidhje me masakrën e Dobraçit, të paktën deri në këtë fazë të hetimit.

ARRESTIMET, LIRIMET DHE RIARRESTIMET

Në kohën kur Shkodra ishte gjunjëzuar nga vrasjet dhe masakrat e njëpasnjëshme nga janari deri në shtator të vitit 2018, kur policia, prokuroria e asnjë institucion nuk gjendej në terren, një dosje nga Belgjika detyron autoritetet tona të ndërhyjnë. Në krye të dosjes gjendej emri i Safet Bajrit. Ndaj tij kishte një vendim dënimi prej 9 vjetësh burg, ndërkohë që policia për të shpëtuar çfarë kishte mbetur nga heshtja ndaj materialeve që vijnë nga drejtësitë e vendeve ku vepronin Bajrat, ndërhyri me një operacion të gjerë. U vunë në pranga Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Safet Bajri. Aso kohe, pas arrestimit, u fol për hapje dosjesh të vjetra, ku ndër to bëhej fjalë edhe vrasja e një vajze 16 vjeçe në shtëpinë e Behar Bajrit, kushëririt të Safetit, ndonëse ky i fundit mban emrin Rrustemi. Pas një morie faktesh, akuzash dhe ngjarjesh ku përfliteshin grupi kriminal në Shkodër e jo vetëm, operacionin ‘Oazi’ e mbuloi heshtja. Të arrestuarit me bujë dhe për ngjarje të rënda, të hetuar nga Krimet e Rënda nisen të dilnin nga burgu. Ndër ta, i fundit u lirua, me kusht, Safet Bajri dy vjet më parë, ndërkohë të tjerët vijonin të vrisnin e ngjarjet të hetoheshin përciptazi.

“OAZI” QË U SHKATËRRUA NGA “METAMORFOZA”

Me 22 shtator të vitit 2018, ditën kur u finalizua edhe operacioni i bujshëm ‘OAZ’, Ardi Veliu, ish-kryepolici i vendit, me krenari do të deklaronte se goditëm një prej grupeve kriminale më të rrezikshëm në vend. Në njoftimin e asaj dite do të theksohej nga Veliu se u arrestuan; Behar Brajoviq (Bajri) në Roterdam; Samet Halluni, në Roterdam; Ilir Rustemi, (Bajri), në Shkodër; Emrah Plaku, në Shkodër; Astmer Bilali, në Shkodër; Armir Grimaj, në Shkodër; Safet Rustemi (Bajri), në Tiranë; Fabiol Rexhepi, në Shkodër; Ismet Idrizi, në Shkodër; Denis Brajoviq, (Bajri), në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliu, në Tiranë. Ndërsa në kërkim u shpallën Enver Bajri dhe N.H! Po në atë njoftim Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda do të listonin akuzat e grupit kriminal: “Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuara deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 16 vjeçe. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër”-do të thuhej mes të tjerash në konkluzionin paraprak të dosjes së bujshme. A. T., ishte vrarë në mënyrë demonstrative në Shkodër, ndërsa e mitura, që gjendej në shtëpinë e Behar Bajrit, si e fejuara e tij, do të konsiderohej vetëvrasje, derisa u rihap çështja dhe u morën dëshmitë e familjarëve të vajzës së vrarë. Po ashtu, në këtë operacion, Policia dhe Prokuroria lanë të kuptohet se do të hetohej edhe për ngjarjet e fundit, ku regjistroheshin akti i shpërthimit të motobombës, vrasja e çiftit, vrasja e Fatbardh Licit dhe vrasja e Arjan Ferracakut. Por 2-3 vjet më vonë pothuajse të gjithë ishin të lirë, përveç Safet Bajrit që vuante dënimin e ardhur nga Belgjika. Në 2023 SPAK realizoi “Metamorfozën” për të kuptuar se përse u shkatërrua në atë formë ‘Oazi’. Dy drejtues policie, një investitor strategjik i qeverisë dhe një prokuror, në bashkëpunim edhe me të tjerë njerëz drejtësie kishin zhbërë një prej operacioneve më të bujshme që ishte kryer atyre viteve në Shqipëri, me urdhër dhe materiale të ardhura nga Belgjika. Edhe “Metamorfozën” sërish e iniciuan belgët dhe francezët teksa sollën bisedat e SKY ECC mes anëtarëve të grupit kriminal dhe njerëzve të drejtësisë dhe policisë.

KRIMET PËR TË CILAT AKUZOHESHIN BAJRAJT NË 2018

14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip kamion me targë të Vlorës.

14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.

21.03.1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.

28.01.2000 në fshatin Dobraç është vrarë me armë zjarri shtetasi Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër penale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Ndërsa Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milionë lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Për ngjarjen Behar Bajri është deklaruar fajtor më 12 shtator të vitit 2005 për një krim të kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi (Bajri).

15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi A. Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.

26.06.2002 në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri. 18.08.2006 Behar Bajri akuzohet për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.

04.08. 2006 Ilir Bajri akuzohet se ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve.