Shtyhet seanca për divorcin mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

Shtyhet seanca për ndarjen mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Sipas asaj që bën të ditur gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, shkak është bërë mosparaqitja e Kryemadhit në seancë, ku ishte parashikuar nëse mes tyre do të kishte pajtim ose jo.

Seanca e radhës u caktua më 11 Prill ora 10:30. Edhe vetë Meta nuk ishte i pranishëm, por kishte lënë autorizim avokatin e tij, Genc Gjokutaj.

Kujtojmë se Më 20 Qershor 2024 u konfirmua divorci i bujshëm i Ilir Metës me Monika Kryemadhin. Në deklarimet e tyre të mëhershme, motivi kryesor ishin qasjet e ndryshme në politikë. Megjithatë historia e tyre nis që prej vitit 1993.

Lidhur me divorcin, Meta më herët ka shpjeguar dhe arsyet që e çuan në dyert e gjykatës për zgjidhjen e martesës.

“Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI, për djegien e mandateve që u morën dhe sakrifica dhe gjak në një betejë të hapur me koalicionin e madh anti-LSI dhe anti-Meta të 17 Majit, të Prindit 1 dhe Prindit 2. Qëndrimet e vazhdueshme sistematike të saj, krejtësisht në krah të kundërt, të kauzave që unë mbroj, dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë, duhet të merrnin fund”.

Ndërkohë, pas arrestimit të Metës, deputetja Kryemadhi ndau ndjesitë e saj edhe u shpreh se ata nuk kanë pasur asnjë komunikim në 7 muajt e fundit.

“Të jem e sinqertë çdo gjë e kam menduar, por divorcin nuk e kisha menduar ndonjëherë. Mund të kisha krim pasioni me Ilir Metën, por divorcin nuk e kam menduar kurrë. Unë e kam dashur dhe e dua Ilir Metën, s’ka rëndësi se çfarë bën Ilir Meta. Ai është babai i fëmijëve të mi, është njeriu që më ka bërë kjo që jam. Për të qenë vetvetja, më ka lënë gjithmonë të lirë, e drejtpërdrejtë… Edhe impulsive, edhe pse me kosto. Por kur një gjë mbaron, mbaron! Nuk e mban dot me zor!”