Arrestimi i Veliajt, Rama: S’më takon mua të them nëse është fajtor, uroj t’i japin të drejtën e një gjyqi dinjitoz

Kryeministri Edi Rama deklaroi në takimin me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, se nuk i takon atij të thotë nëse Erion Veliaj është fajtor apo jo. Ndërkaq Rama shtoi se uron që Veliajt t’i japin të drejtën e një gjyqi dinjitoz.

“Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo fajtor. Pavarësisht se ca mendojmë ne, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim dhe t’ia lë drejtësisë të ndajë këtë dilemë duke mbështetur pavarësinë e organeve të drejtësisë. Barra juaj e përbashkët është që makineria e bashkisë së Tiranës të mos fiket as një minutë po të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet.

Deri kur çështja e Erionit të marrë drejtim, vëmendja ime për Tiranën do jetë e pandërprerë. Uroj dhe dua të besoj akoma që përtej asaj çka mendojmë për fajësinë e tij, organet e drejtësisë do ia japin të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz duke i dhënë fund praktikave brutale të prangave pa gjyq”, tha Rama.