Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se më 15 shkurt kur në Serbi shënohet përvjetori i kryengritjes së parë serbe kundër Perandorisë Osmane, do të shpallë Deklaratën për Vojvodinën.
Kjo nismë e Vuçiqit vjen në kohën kur Serbia vazhdon të mbetet e paralizuar nga protestat e studentëve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë e Novi Sadit që mori 15 viktima.
Ai duke drejtuar akuza në adresë të, sic tha, fuqive të huaja, gjatë një tubimi në rajonin e Banatit, tha se Serbia po sulmohet nga brenda dhe jashtë, kurse sipas tij, tani po targetohet Vojvodina.
ALEKSANDAR VUÇIQ – PRESIDENT I SERBISË
“Duan ta shkëpusin Vojvodinën nga Serbia. Forcat e huaja përpiqen ta shfrytëzojnë pakënaqësinë nga tragjedia e Novi Sadit dhe nga jashtë inkurajojnë të rinjtë të flasin në gjuhën e Vojvodinës, të kërkojnë më shumë autonomi. Për këtë shkak do t`ju ftoj në një miting të madh në veri të Serbisë, në Vojvodinë, brenda 6 – 7 ditëve, për të thënë se Vojvodina ka qenë, është dhe do të mbetet Serbi.”
Vojvodina ka statusin e rajonit autonom kurse kryeqytet i saj është Novi Sadi. Me sipërfaqe prej rreth 20.000 metër katror paraqet vendin e mbi 20 grupeve etnike – serbë, hungarezë, kroatë, bullgarë e të tjerë.
Pas formimit të Jugosllavisë në vitin 1945 u bë rajon autonom në kuadër të Serbisë.
Autonomia iu hoq në vitin 1989 nga Sllobodan Milosheviqi dhe u ripërtri pas rënies së tij nga pushteti më 5 tetor 2000.
Një nga shkaqet e pakënaqësive ndaj politikave të Vuçiqit, qytetarë të Vojvodinë potencojnë se pushteti aktual ridestinon mjete të mëdha ekonomike nga ky rajon I zhvilluar për t`i transferuar në rajonet më pak të zhvilluara sikurse në Serbinë Lindore dhe Jugore.