Grenell e quan Kurtin delirant

Emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, Richard Grenell, e ka quajtur delirant kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkak të deklaratës mbi marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

– Advertisements –

Kurti ka përsëritur të enjten se marrëdhëniet me SHBA-në nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se gjatë qeverisjes së tij.

Por, Grenell ka reaguar sërish duke thënë se “marrëdhëniet nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët”.

“Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata Biden, NATO, BE-ja, Ambasada amerikane, Anthony Blinken, etj”, ka shkruar Grenell në platformën X, ndërsa ka bashkangjitur deklaratën e Kurtit: “Albin Kurti i përgjigjet Grenellit: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë më të mira se kurrë”.

Polemikat mes të dyve kanë nisur ditë më parë kur Grenell fillimisht i reagoi Kurtit se deklarata e këtij të fundit për “marrëdhëniet e mira me SHBA-në” janë mashtrim. Madje, Grenell pati shkruar më 3 shkurt se “bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit”.

Kurti të enjten në një televizion lokal ka thënë se “nganjëherë ka kritika e vërejtje, por duhet të ecim përpara”. Ndërsa ka insistuar për marrëdhënie të mira me SHBA-në, ai ka përmendur blerjen e helikopterëve e avancimin e raporteve në aspektin diplomatik e mbrojtje.