Tërmetet vazhdojnë të godasin Santorinin, një ndër ishujt më të famshëm dhe piktoresk të Greqisë. Pamjet që vijnë nga ishulli tregojnë rrugë të boshatisura dhe njerëz që rendin të kapin një traget për t’u larguar.
Por një shqiptar, i cili jeton prej 30 vitesh atje, tregon se nuk ka ndërmend të largohet dhe të lërë gjithçka pas.
“Shumë biznese janë mbyllur, shumë të tjera do të mbyllen sepse të gjithë kanë ikur, sidomos familjarët”, tregon për “Dita jonë” në A2 CNN, Niko Topuzi, i cili punon aty në biznesin e hotelerisë. “Unë personalisht nuk do të iki, nuk do të lëviz fare. Unë pothuajse jam rritur në këtë ishull, sepse jam këtu që në vitin 1995. Kam shumë kontakte me njerëz, edhe shumë të moshuar. Nuk është se nuk i besoj shkencës dhe teknologjisë, por ata thanë që këtu i kanë mbijetuar shumë tërmeteve edhe më të fuqishme. Unë do të lëviz personalisht”.
Ai shpjegon se lëkundjet janë më të ulëta se në ditët e mëparshme, megjithatë raportohet se 11-14 mijë banorë janë larguar. “Shumica e bizneseve janë mbyllur sepse u kanë ikur punëtorët. Edhe mua më kanë ikur tre punëtorë. Jam pak më i privilegjuar sepse kam edhe familjarë të mi dhe do të punoj pak më shumë. Por këtu ka akoma turistë, kryesisht nga Amerika Latine dhe aziatikë”.
Autoritetet deri tani nuk kanë dhënë urdhër që njerëzit të largohen, shumica e njerëzve janë larguar me dëshirën e tyre. “Nëse na thonë që të largohemi, edhe unë do të iki”, tregon Topuzi. “Unë personalisht as nuk e imagjinoj të largohem, por nëse na thonë, do të vij në Shqipëri”. /A2CNN/