Në veriun e Mitrovicës para çerek shekulli – 25 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët

MITROVICË, 3 Shkurt / Në veriun e Mitrovicës tani me shumicë serbe, para çerek shekulli- 25 viteve, natën e masakrës mes 3 dhe 4 Shkurtit të vitit 2000, janë vrarë 10 shqiptarë e plagosur 25 të tjerë, ndërsa u dëbuan nga shtëpitë e veta me dhunë vetëm brenda asaj nate rreth 100 familje shqiptare, e brenda muajit 1564 familje me gjithsej 11.394 anëtarë.

“Pasojat e sulmeve kriminale serbe të asaj nate në lagjet veriore të Mitrovicës ishin të tmerrshme. Dhunshëm u dëbuan nga pronat shqiptarët dhe në këtë mënyrë ajo pjesë u spastruar etnikisht dhe u ndryshua realiteti, duke u bërë serbët shumicë, që deri atëherë ishin pakicë”, është theksuar në veprimtaritë e përvitshme përkujtimore.

Në Mitrovicë, qytetin më të madh verior të Kosovës, masakra e para 24 viteve ndodhi pas luftës së përfunduar në Qershorin e vitit 1999, ndërsa gjatë luftës janë vrarë 455 shqiptarë, nga moshat 2 muaj e deri 89 vjet, janë zhdukur 279 dhe janë plagosur 450 shqiptarë. Janë rrënuar 9540 shtëpi shqiptare.

Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar:

Në përvjetorin e 25-të, kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, nderojmë me respekt të thellë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë – që u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia. Në këtë sulm brutal u plagosën edhe 24 qytetarë, të cilët janë dëshmi e barbarisë së atyre dy netëve.

Dëshmi e dhimbshme janë edhe 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke dëshmuar qartë përpjekjet për spastrim etnik në këtë pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

Këto ditë janë një kujtesë e fuqishme e rezistencës dhe përpjekjes për të qëndruar në vatrat e tyre, por edhe e nevojës për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë.

Drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve mbeten një domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme.

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët e vrarë me 3-4 shkurt!