Haradinaj: S’do të ketë pensione nën 500 euro

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se nuk do të ketë pension më të ulët se 500 euro, përfshirë edhe kategoritë e dala nga lufta, nëse do të jetë në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Ne i kemi dhënë këto shifra në bazë të matjes buxhetore. Kemi thënë pragun e poshtëm të pensioneve dhe pagës minimale që është 500 euro”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se koalicioni AAK-Nisma i ka trajtuar me prioritet të gjithë sektorët në programin e saj.

“Në koalicionin tonë jemi një. Në programin tonë i kemi trajtuar me kujdes çështjet kryesore, duke filluar prej sigurisë, që është çështja kyçe për ne si dhe anëtarësimi i plotë në NATO. I kemi trajtuar edhe arsimin dhe shëndetësinë”, ka bërë të ditur Haradinaj, njofton zyra për informim e AAK-së.