Një shtëpi është përfshirë nga zjarri ditën e sotme në rrugën “Muzafer Spaho”, në Tiranë. Si pasojë e zjarrit ka humbur jetën një 75-vjeçar, i cili jetonte i vetëm.
“Më datë 19.01.2025, rreth orës 20:00, në rrugën “Myzafer Spaho”, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën private të shtetasit Ramazan Karimani, rreth 75 vjeç, i cili jetonte i vetëm në banesë”, njoftoi policia.
Dyshohet se Ramazan Karimani vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Sipas hetuesve jetonte në kushte të mjerueshme dhe për të mbijetuar mblidhte kanaçe. 75-vjeçari sapo ishte kthyer në banesë dhe kishte ndezur një zjarr, i cili më pas ka përfshirë dhe banesën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.