‘Çfarë nuk kanë fantazuar’, Rama: Vëllai im s’ka kërkuar dhe nuk ka marrë asnjë favor. Po ashtu, ime shoqe dhe vajza jonë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë, pas deklarimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), se i vëllai, Olsi Rama nuk ka lidhje me dosjen “Xibraka”.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama deklaroi se i vëllai, por edhe bashkëshortja dhe vajza e tyre, nuk kanë kërkuar dhe marrë asnjë favor.
“Im vëlla është në punën e tij, pa asnjë lidhje me punën time. Kurrë, asnjëherë, i përfshirë në ndonjë angazhim tjetër në kohën e qeverisjes sime, përveç drejtimit të klubit të futbollit “Partizani”. Madje u bënë s’di sa vjet, që ai klub kërkon të marrë nga ministria e mbrojtjes disa karakatina, ngjitur me stadiumin e ri që pronari i klubit ka ndërtuar me fondet e veta. Për vite nuk kanë arritur ta marrin edhe pse duhet ta kishin marrë me kohë sipas meje, sepse kurrë, asnjëherë, vëllai im as nuk ka kërkuar, as nuk ka marrë prej influencës sime asnjë lloj favori, ndërsa unë vetë e kam marrë vesh kwtw shumë më vonë, një kërkesë tejet legjitime. Ironia e fatit në këtë rast, e do ama, që fjala “Klubi Partizani”, të jetë sot edhe një pasqyrë e qartë e dy botëve që më ndajnë qysh nga dita një, mua me kundërshtarët e mi, ku mund të shihet si drita e diellit dallimi i botëkuptimeve për shtetin, pushtetin dhe zyrën, ku unë jam thjesht roja i radhës, ndërsa pronari është populli shqiptar që m’i ka dhënë çelësat e saj në mirëbesimin më të madh.