Nga sot, Azerbajxhani nuk furnizon më gaz Serbinë, konfirmoi presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Siç bën të ditur ai, në njoftimin nga Azerbajxhani, shkruhet se për shkak të forcës madhore, vendi nuk mund të dërgojë gaz.
Bëhet fjalë për rreth 1.7 milionë metra kub gaz që i dërgohej Serbisë çdo ditë.
Vuçiq siguron se në Serbi nuk do të ketë mungesë të gazit dhe karburanteve të tjera.
Vendimi i Azerbajxhanit vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj industrisë së naftës të Serbisë, duke kërkuar që Rusia të tërheqë pronësinë e saj mbi kompaninë NIS.
Një përfaqësues i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit deklaroi sot se Serbia nuk do të ketë pasoja ekonomike nëse e largon Rusinë nga struktura e pronësisë së kompanisë.
Në industrinë e naftës në Serbi, kompanitë ruse kanë më shumë se 56 për qind të aksioneve, ndërsa shteti 29,87 për qind.