Dërgohet në mbajtje një person nga Zveçani që kanosi Kurtin në rrjete sociale para disa ditësh

Policia e Kosovës ka identifikuar dhe e ka arrestuar një person që kishte kanosur kryeministrin Albin Kurti para disa ditësh.

Policia tha se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje dhe se po vazhdohet me procedura të tjera ligjore.

Sipas informacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës, veprimet hetimore kanë çuar në identifikimin e të dyshuarit, M. R. (mashkull kosovar, lindur në vitin 2004), i cili është arrestuar më 10 janar 2025 në Zveçan.

Gjatë ndalimit, ai është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe është kryer një kontroll në banesën e tij, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie pa leje.