Vanja dhe Pançe janë vrarë me kalibër të njëjtë të plumbit prej 9 milimetrave, tregoi autopsia

Në Gjykatën themelore penale, sot me parashtrimin e dëshmive materiale, vazhdoi gjykimi për vrasjen e dyfishtë të minorenes Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi.

Në seancë, prokurorja Zhaklina Trajkovska në përmbajtjen e shkurtë para Gjykatës, elaboroi 180 nga gjithsej 197 dëshmi, që kanë të bëjnë me lokacionet ku janë gjetur viktimat, gjetjet nga ekspertiza e organeve hetuese, gjurmët e gjetura, rezultatet nga autopsia, si dhe raportet nga ekspertiza psikiatrike.

Siç tha prokurorja, viktimat janë vrarë me të shtënë në kokë nga afërsia, me kalibër të njëjtë të plumbit prej 9 mm, duke potencuar se autopsia ka treguar se Vanja nuk ka qenë e mbytur, respektivisht të dy viktimat kanë qenë gjallë në momentin e ekzekutimit, në çka i akuzuari Lupço Palevski tha se nuk janë gjetur gjurmë të tij të gishtave.

Sipas ADN-së, analiza nga shiriti ngjitës që ka qenë në gojën e Vanjës, janë gjetur gjurmë të përziera nga vajza, si dhe, me siguri gjurmë nga i akuzuari, Velibor Manev.

Si pjesë të dëshmive materiale të prokurorisë, Trajkovska elaboroi se në automjetin “Reno Kangu” në ulëset janë gjetur gjurmë të të akuzuarit Velibor Manev, Vllatko Keshishev dhe Bore Vidoevski, si dhe gjurmë të bishtave të cigares, të cilat vijnë nga Vllatko Keshishev dhe Bore Viodevski, si dhe gjurmë në rrethin e një shisheje plastike me ujë.

Ekspertiza, po ashtu, ka treguar se mostrat nga balta, të marra nga rrotat e veturës “Reno Kangu” nuk përputhen me mbetjet e gjetura nga balta e këpucëve dhe nën thonjtë e Vanjës.

Sipas rezultateve, vdekja e Pançe Zhezhovskit ka qenë e dhunshme, është ekzekutuar në pozitë të drejtë gjysmë të përkulur, me kokë të përkulur. Palevski kërkoi që prokurorja të sqarojë edhe për mbulesën me të cilën është mbështjellur Pançe, pasi, siç tha, në të nuk ka gjurmë të lidhur me të.

Në gjykimin u prezantua edhe ekepertiza psikiatrike e të akuzuarve, e cila ka treguar se të gjithë kanë qenë në vetëdije, respektivisht kanë ditur se çka bëjnë në momentin e kryerjes së veprës. Për viktimat e tyre, duke iu referuar rezultateve psikiatrike, prokuroria tha se kanë pësuar vuajtje të rëndë psikike me intensitet të fuqishëm.