Një mal me kritika e vërejtje për Kosovën ka adresuar raporti i Komisionit Evropian sa i përket lirisë së shprehjes dhe mediave, i publikuar sot.
Në pjesën ku flet për këtë fushë, raporti ka evidentuar rastet e sulmeve fizike e verbale ndaj gazetarëve, si dhe kërcënimet e tyre.
Gjithashtu, raporti ka evidentuar si problematike edhe gjuhën linçuese ndajgazetarëve, duke përmendur edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë së Kosovës.
“Sulmet përfshinin pengimin e punës së tyre nga zyrtarë të sigurisë, si dhe akuza e gjuhë të ashpër nga zyrtarë të lartë qeveritarë (përfshirë Kryeministrin) drejtuar gazetarëve dhe mediave.”, thuhet në raport.
Aty theksohet se zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga retorika që vë në shënjestër ose diskrediton gazetarët, ndërsa sulmet apo intimidimi ndaj tyre duhet të dënohen.
“Një kameraman u arrestua dhe u mbajt përkohësisht në paraburgim nga Policia e Kosovës, ndërsa të paktën katër persona u ndaluan për shkak të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Rastet e intimidimit përfshinin gjithashtu ngacmimet në internet dhe shpërndarjen e të dhënave personale. Gjatë së njëjtës periudhë, nuk është regjistruar asnjë padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).”, thuhet tutje.
Gjatë periudhës së raportimit, sipas raportit, janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike e verbale ose kërcënimeve ndaj gazetarëve, çka përbën një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin paraprak.
Gjithashtu, në raportin e publikuar sa i përket lirisë së medias dhe shprehjes, BE vlerëson se Kosova ka garanci të përshtatshme ligjore për lirinë e shprehjes, por se mjedisi për funksionimin e lirë, të pavarur dhe profesional të mediave duhet të përmirësohet.
Raporti evidenton edhe presionin ndaj mediave, krizën financiare të RTK-së dhe mungesën e transparencës në pronësinë dhe financimin e mediave.
Komisioni vëren se ende nuk janë miratuar Ligji i ri për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Po ashtu, Ligji për shpifjen civile duhet të harmonizohet me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pas shfuqizimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Gjykata Kushtetuese, raporti kërkon hartimin e një projektligji të ri në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Kërkohet gjithashtu që kompetencat rregullatore të shtrihen edhe te mediat online.
Gjithashtu, janë dhënë edhe një mori vërejtjesh tjera dhe rekomandimet se si t’i qaset Kosova zgjedhjes së probleme në këtë fushë. /Klankosova.tv