Mickoski: Negociata për çështjet identitare nuk vijnë parasysh, në marrëveshjet me fqinjët na premtuan mbështetje pa kushte
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistë për RTM nga Samiti i BE-së i dedikuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, në lidhje me problemin me Bullgarinë, theksoi se diskutimi i tij në Samit u bazua në atë se është e nevojshme zgjidhje e cila do të garantojë përshkimin e rrugës deri në fund, megjithatë, negociata për çështjet identitare nuk vijnë parasysh, ndërsa marrëveshjet me fqinjët duhet të interpretohen ashtu siç janë, pasi në të dyja na është premtuar mbështetje pa kushte në rrugën drejt BE-së.
“Ky edhe ishte diskutimi im, si dje ashtu edhe sot, se bashkëpunimi bilateral është kyç kur flasim për bashkëpunim ekonomik, turizëm, kur flasim për zhvillimin e aftësive “know-how”, arsimin dhe këtu ky proces ka një vlerë të shtuar. Por, nëse bisedimet dhe negociatat bilaterale kanë të bëjnë me çështjet e identitetit, atëherë ai proces asesi nuk mund të përfundojë me sukses, sepse është i lidhur me emocione”, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski shtoi se çdo proces që është i lidhur me emocionet nuk mund të jetë një proces që bazohet në përparim, cilësi të realizimit dhe rezultate.
“Prandaj kërkova që çështjet emocionale bilaterale t’i lëmë mënjanë dhe të lexojmë saktë marrëveshjet. Nuk mund për njërën marrëveshje të vlejë “pacta sund servanda” dhe për një tjetër të mos vlejë. Ajo që është e përbashkët për to, është se të dyja marrëveshjet thonë se vendet anëtare që janë palë e dytë në njërën Greqia dhe në tjetrën Bullgaria, duhet të na mbështesin pa kushte.
Askund, veçanërisht në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, nuk ka asnjë fjali ose pjesë që na detyron për ndryshime kushtetuese. Të shohim gjërat ashtu siç janë, të përballemi me të vërtetën, jo ashtu siç na pëlqen neve dhe të tregojmë muskujt politikë dhe në këtë mënyrë t’i kthejmë gjërat. Unë dua t’i shoh gjërat ashtu siç janë dhe të dyja marrëveshjet premtonin mbështetje të pa kushtëzuar nga fqinjët tanë për rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”, tha kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se bashkëpunimi bilateral për çështjet e identitetit nuk vjen në konsideratë, sepse këtu ka emocion, nuk ka racionalitet.
“Askujt nuk i kontestojmë asgjë dhe nuk duam që të na kontestojnë, ky është mesazhi im dhe dje dhe sot. Identiteti im shumëshekullor është identiteti im shumëshekullor, gjuha ime amëtare maqedonase është gjuha ime amëtare maqedonase që ka rrënjë shekullore. Kushdo që do të hapë temë për këto çështje, atëherë ai nuk mendon mirë as për fqinjin dhe aq më pak i respekton vlerat evropiane të cilat thonë të bashkuar në diversitetet. Vlerësoj se kemi bërë shumë, dhe këtu ne si qeveri dhe Ministria e Punëve dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ministria për Çështje Evropiane në periudhën e kaluar, kemi punuar shumë që të mundemi sot të flasim hapur për gjërat dhe të kërkojmë një zgjidhje, por jo një zgjidhje që do të na çojë të kalojmë pengesën e parë, por ta ecim rrugën deri në fund. Tani është e qartë për të gjithë, do të gjejmë zgjidhje dhe ne si Qeveri jemi të gatshëm të punojmë sa është e nevojshme për të arritur deri te ajo zgjidhje”, tha kryeministri Mickoski.