Edhe pse ditë më parë paralajmëruan se në organet partiake do të miratohet vendim për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, partitë politike ende nuk kanë një vendim të prerë se cilin nga dy kandidatët për president do të mbështesin më 8 maj.
Elmi Aziri nga Fronti Evropian tha se, votuesit e këtij blloku politik, do të vendosin sipas bindjeve të tyre.
“Ne do t’i ftojmë të gjithë qytetarët të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të vendosin sipas vlerësimeve të tyre, sipas prioriteteve të tyre. Kemi aq përvojë demokratike dhe besoj se të gjithë qytetarët do të mund t’i njohin prioritet e tyre në mesin e kandidatëve. Cilët nga kandidatët të cilët janë në rrethin e dytë zgjedhor do t’i përmbushë pritjet e tyre” – tha Elmi Aziri.
Edhe Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN, tha se nuk mund t’i urdhërojnë votuesit e tyre se për cilin nga kandidatët të votojnë.
“Është e çuditshme që partneri i LSDM-së apo ato të cilët para katër viteve gjatë gjithë kohës na bindnin se Pendarovski është më i miri, Pendarovski është kandidat konsensual, tani ikën në mënyrë qyqare dhe e lanë në baltë. Sa i përket votuesve tanë, do të potencojë edhe njëherë, ato vota nuk i kemi në xhep dhe nuk mundemi t’i orientojnë ashtu lehtë të votojnë për njërin apo tjetrin” – tha Izet Mexhiti.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të garojnë Gordana Siljanoska Davkova nga VMRO – DPMNE dhe presidenti aktual Stevo Pendravoski nga LSDM. Në rrethin e parë Davkova shënoi epërsi të thellë ndaj Pendarovskit.