Brazili ishte vetëm 45 minuta larg një eliminimi të bujshëm nga Kupa e Botës 2026, por ndërhyrja taktike e trajnerit Carlo Ancelotti në pushimin mes pjesëve ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe i siguroi “Seleçaos” kualifikimin në fazën e 1/8 së finales.
Në fund të pjesës së parë, Japonia kryesonte 1-0 dhe kishte neutralizuar pothuajse plotësisht lojën sulmuese të brazilianëve. Skuadra e Ancelottit kishte hasur vështirësi të mëdha për të depërtuar në qendër, ndërsa mbrojtja japoneze po funksiononte në mënyrë perfekte.
Megjithatë, gjatë pushimit, tekniku italian vendosi të ndryshojë qasjen taktike. Ai kërkoi më shumë lojë në krahë, krosime drejt zonës dhe futjen e mesfushorëve në hapësirat e rrezikshme, një strategji që rezultoi vendimtare.
Ndryshimi dha efekt të menjëhershëm. Brazili mori kontrollin e ndeshjes, krijoi një sërë rastesh dhe arriti të barazojë me një goditje me kokë të Casemiros, pas një aksioni të ndërtuar pikërisht sipas planit të ri.
Një rol të rëndësishëm luajtën edhe zëvendësimet e Ancelottit. Futja në lojë e Gabriel Martinellit i dha ritëm dhe energji repartit ofensiv, ndërsa sulmuesi i Arsenalit realizoi golin që vulosi përmbysjen dhe kualifikimin e Brazilit.
Pas ndeshjes, Ancelotti shpjegoi vendimet e tij taktike.
“Gjatë pjesës së parë u kërkova lojtarëve të mos humbnin durimin, sepse isha i bindur se goli do të vinte. Gjëja më e rëndësishme ishte të ruanim ekuilibrin dhe të mos e komplikonim ndeshjen. Skuadra e zbatoi këtë në mënyrë të shkëlqyer”, tha ai.
Trajneri italian vlerësoi edhe paraqitjen e Japonisë, duke e cilësuar atë një kundërshtar shumë të organizuar dhe të vështirë.
“Japonia ishte shumë mirë e organizuar, shumë e rrezikshme dhe me lojtarë të fortë në duele. Plani ynë fillestar ishte të krijonim hapësira në qendër, por kjo nuk funksionoi për shkak të cilësisë së mbrojtjes së tyre. Prandaj ndryshuam strategjinë dhe sulmuam më shumë nga krahët me krosime drejt zonës”, theksoi Ancelotti.
Në fund, Ancelotti theksoi se vuajtja është pjesë e futbollit, por shprehu besim të plotë te skuadra e tij.
“Në futboll duhet të dish edhe të vuash. Kisha besim te ekipi ynë dhe e ndjeja se po luanim mirë. E dimë se jemi në rrugën e duhur, por duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. Tani do të pushojmë dhe do të përgatitemi për kundërshtarin e radhës”, përfundoi strategu italian.
Me këtë fitore, Brazili siguroi vazhdimin e aventurës në Kupën e Botës 2026, ndërsa Ancelotti tregoi edhe një herë pse konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit.