Lideri i LSDM-së, në paraqitjen e tij pasi rezultatet I jepnin epërsi të madhe oponentëve politik, u shpreh i vetëdijshëm për dënimin që mori nga votuesit, por shpreson se në dy javët e ardhshme gjërat mund të përmirësohen.
“Shpresoja në rezultate më të mira, por është e qartë se qytetarët na dënuan dhe këtë e pranojmë. Perspektiva evropiane e Maqedonisë pësoi një goditje të madh. Por, ende nuk ëhstë vonë që të ndryshojë drejtimi Nuk do të heqim dorë nga e ardhmja evropiane, pavarësisht se njerëzit janë të lodhur nga kjo rrugë”- tha Kovaçevski.
Rezultatet e rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale kishin surprizuar edhe VMRO-DPMNE-në. Paraprakisht kishin parashikuar dallimin me 100.000 vota, por jo se fitorja do të jetë 2 me 1.
Në fjalimin e tij fitues, lideri Hristijan Mickoski, kishte një mesazh për BDI-në dhe Ali Ahmetin por edhe për opozitën shqiptare.
“Para këtij fjalimi u dëgjova me opozitën shqiptare me z.Taravari dhe ia urova rezultatim duke I dëshiruar zgjedhje të suksesshme parlamentare dhe qeveri të ardhshme në Maqedoni. Në rrethin e dytë nuk duhet të lejojmë që BDI-ja të ketë sukses dhe rezultate të mira. Ju thërras që të dalim dhe të votojmë për Maqedoninë që sërish të jetë krenare dhe e juaja” – tha Mickoski.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti gjatë tubimit festiv në sheshin e Tetovës, bëri thirrje për mobilizim më të madh për zgjedhjet parlamentare.
“Më 8 maj e kam një porosi, si vëllau vëllait, për të gjithë ata votues aty ku rrezikohet ndonjë mandat” – tha Ali Ahmeti.
Njëjtë sikurse Taravari, një nga krerët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, tha se janë fituesit e votës shqiptare duke pohuar se ata do të jenë fituesit e zgjedhjeve të 8 majit.
“VLEN është përfaqësuesi I vetëm legjitim I shqiptarëve në këto zgjedhje dhe në qeverinë e ardhshme. BDI edhe me këto rezultate nuk nxjerr deputetë shqiptarë” – thonë nga VLEN.
Gjatë dy javëve të ardhshme vendin e pret një periudhë mjaft interesante, pasi rezultatet e djshme janë katalizatorë për rrethin e dytë, por edhe për epilogun e zgjedhjeve parlamentare.
Për njohësit e rrethanave politike, epilogu I rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, është si rezultat se LSDM-ja si pjesë e qeverisë, në plan të parë vendosi rrugëtimin evropian dhe ndryshimet kushtetuese, duke anashkaluar çështjet tjera të rëndësishme, sikurse luftën kundër korrupsionit, luftë e cila nga qytetarët dhe raportet ndërkombëtare ishte vlerësuar si problemi më I madh.