56 raste të reja me kollë të mirë gjatë javës së kaluar

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) nga 23 deri 29 të muajit të kaluar ka regjistruar 56 raste të reja të kollës së mirë, prej të cilëve 54 janë në Shkup, ndërsa nga një në Strumicë dhe Dibër.

Të sëmurët janë të moshës prej 0 deri 70 vjet, ndërsa numri më i madh janë nga grupmoshat e fëmijëve prej 10 deri 14 vjet.

Nga 56 rastet e reja, janë hospitalizuar tre, dy fëmijë të moshës nën një vjet dhe një nga grupmosha nga 1 deri 4 vjet.

Deri më 29 shkurt të këtij viti në shtet janë regjistruar gjithsej 123 raste të kollës së mirë, me incidencë prej 6,7/100 000 banorë. Lidhur me vendin e lindjes, numër më të madh të personave jetojnë në Shkup – 109 (88,6%) në nëntë komuna të ndryshme, pesë persona janë nga Tetova, katër persona jetojnë në Kumanovë, në Gostivar dy dhe nga një është regjistruar nga Struga, Strumica dhe Dibra.

“Rasti i parë është regjistruar më 05.01.2024, ndërsa vetëm në 7 ditët e fundit janë regjistruar 56 raste, dy herë më shumë në krahasim me periudhën e kaluar javore të regjistrimit. Nga numri i përgjithshëm i 123 rasteve të regjistruara, 77 nuk ishin të vaksinuar, nuk janë vaksinuar komplet në bazë të moshës ose nuk ka dëshmi për vaksinim. Nga të sëmurët, janë regjistruar 27 persona me hospitalizim edhe atë 22 prej tyre të moshës deri katër vjet”, informoi ISHP.

Në bazë të rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe Institutit të Shëndetit Publik, në periudhën prej 18 janarit e deri më sot, të gjitha pikat e vaksinimit në vend, në bashkëpunim me shërbimet epidemiologjike nga SHP, kryejnë kërkim intensiv të personave të paregjistruar, të pavaksinuar dhe komplet të pavaksinuar, si dhe të personave të cilët i nënshtrohen vaksinimit të rregullt, me qëllim të thirrjes së tyre dhe vaksinimit sipas Kalendarit kombëtar për imunizim.

Nga 18 janari e deri më dje, sipas të dhënave të dorëzuara nga ISHP Shtëpia e Shëndetit – Shkup, nga shërbimet për vaksinim (Gazi Babë, Çair, Karposh, Kisella Vodë dhe Qendër) është konfirmuar se janë gjetur 13.184 fëmijë të pavaksinuar. Prej tyre, janë vaksinuar 5 056 (38,3 për qind). Nga të vaksinuarit, numri dhe përqindja më e madhe kanë marrë rivaksinim të parë (2 492; 49,3 për qind).

Në bazë të moshës dhe Kalendarit për vaksinim të rregullt, janë vaksinuar 7 690 fëmijë të moshës deri 7 vjet, ndërsa numri dhe përqindja më e madhe (4 729; 61,5 për qind) e fëmijëve të vaksinuar kanë marrë dozën I, II ose III të vaksinimit primar. Numri i përgjithshëm i dozave të vaksinës që përmban komponentë kundër kollës së mirë, janë dhënë si vaksinim primar (doza I,II,III) ose rivaksinim (rivaksinë I,II) në territorin e Shkupit në periudhën nga 18 janari deri më 29 shkurt është 12 746.