Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit “nuk ndodhën në vakum”

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se sulmet e Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit “nuk ndodhën në vakum” gjatë fjalëve të tij në Këshillin e Sigurimit të martën për Lindjen e Mesme.

“Është e rëndësishme të pranohet se sulmet nga Hamasi nuk ndodhën në vakum. Populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet”, tha Guterres, duke shtuar se palestinezët “e kanë parë tokën e tyre të gllabëruar vazhdimisht nga vendbanimet dhe të rrënuar nga dhuna”.

Në të njëjtën kohë, Guterres vuri në dukje se “ankesat e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit”. Ai shtoi se as populli palestinez nuk duhet të dënohet kolektivisht për sulmet e Hamasit, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Prandaj, sipas Guterres, të gjitha palët e konfliktit duhet “të kenë kujdes të vazhdueshëm në kryerjen e operacioneve ushtarake për të kursyer civilët” si dhe “të respektojnë dhe mbrojnë spitalet dhe të respektojnë paprekshmërinë e objekteve të OKB-së, të cilat sot strehojnë më shumë se 600,000 palestinezë ”

Guterres i quajti sulmet e intensifikuara në Gaza nga Izraeli “thellësisht alarmante” pasi “niveli i viktimave civile dhe shkatërrimi me shumicë i lagjeve vazhdon të rritet”.

Të paktën 35 nga kolegët e Guterres në OKB që punojnë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë u vranë në bombardimet e Gazës gjatë dy javëve të fundit, sipas Sekretarit të Përgjithshëm.

Ai tha se “shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar” janë dëshmuar në Gaza, duke ofruar si shembull urdhrin e Izraelit që më shumë se një milion njerëz të evakuohen në fillim të këtij muaji, raporton.

Guterres theksoi se ndihmat e dërguara në Gaza nuk korrespondojnë me nevojat e saj të mëdha, duke përfshirë furnizimet me karburant që do të mbarojnë “brenda disa ditësh”.

Ai përsëriti apelin e tij për “një armëpushim të menjëhershëm humanitar”, një zgjidhje me dy shtete për konfliktin palestinezo-izraelit dhe një lirim të menjëhershëm të të gjithë pengjeve “pa kushte”.