Përveç polemikave për mosrespektimin e gjuhës shqipe, kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, tani përballet edhe me një kallëzim penal lidhur me realizimin e projektit “Mega Park Oaza”.
Në qendër të kallëzimit janë pretendimet se një pjesë e tokës ku është ndërtuar parku mund të jetë pronë private, ndërsa pjesa tjetër pronë shtetërore.
Sipas dokumentit, më 23 korrik 2026, Komunës së Butelit i është dorëzuar një parashtresë me kërkesë për ndërprerjen urgjente të punimeve, me arsyetimin se një pjesë e hapësirës ku po realizohej projekti pretendohej se ishte pronë private.
Megjithatë, pavarësisht kësaj parashtrese, punimet kanë vazhduar.
Ndërkohë, TetovaSot ka siguruar edhe dokumentacion të ri, i cili hedh më shumë dritë mbi statusin pronësor të tokës ku është realizuar projekti.
Bëhet fjalë për Fletën pronësore nr. 101967, në Komunën Kadastrale Butel, ku sipas të dhënave të kadastrës figurojnë gjithsej katër bartës të së drejtës së pronësisë.
Përveç Republikës së Maqedonisë së Veriut, në këtë fletë pronësore figurojnë edhe tre bashkëpronarë privatë.
Sipas të dhënave kadastrale, shteti zotëron pjesën më të madhe të pronësisë, ndërsa pjesa tjetër është e regjistruar në emër të bashkëpronarëve privatë.
Por zhvillimi tjetër lidhet me një dokument të datës 20 korrik 2026, përmes të cilit njëri nga bashkëpronarët i është drejtuar Komunës së Butelit dhe Avokaturës Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë dokument kërkohet ndërprerja urgjente e të gjitha aktiviteteve për planifikimin dhe ndërtimin e parkut, deri në përfundimin e procedurave gjyqësore dhe rregullimin përfundimtar të marrëdhënieve pronësore-juridike.
Në arsyetimin e tij theksohet se prona nuk është ndarë fizikisht ndërmjet bashkëpronarëve dhe se për një pjesë të saj është në zhvillim një procedurë gjyqësore për përcaktimin e së drejtës së pronësisë.
Gjithashtu kërkohet që Komuna të mos ndërmarrë veprime që mund të ndryshojnë gjendjen faktike apo juridike të pronës deri në përfundimin e procedurës.
Ndërkohë, në Prokurorinë Publike është dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovski, pikërisht lidhur me këtë çështje.
Pranimin e kallëzimit penal e ka konfirmuar për TetovaSot edhe Prokuroria Publike, duke bërë të ditur se ai është në fazën e shqyrtimit.
Kallëzimi është paraqitur ndaj kryetarit Darko Kostovski dhe kërkon të verifikohen dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe punë të pandërgjegjshme në shërbim.
Megjithatë, duhet theksuar se pretendimet për pronësinë e tokës dhe përgjegjësinë eventuale të personave të përfshirë ende nuk janë vërtetuar nga institucionet kompetente.
TetovaSot i ka dërguar pyetje Komunës së Butelit dhe kryetarit Darko Kostovski për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me këto pretendime, por deri në publikimin e këtij raportimi nuk ka pranuar përgjigje.
Tashmë pritet të shihet nëse Prokuroria do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, si dhe nëse institucionet kompetente do të sqarojnë bazën juridike mbi të cilën është realizuar projekti “Mega Park Oaza”./TS/