Macron mbërrin në Izrael për të treguar solidaritet kundër sulmit të Hamasit

Presidenti francez, Emmanuel Macron mbërriti sot në Izrael për të shprehur “solidaritetin e plotë” të Francës me Izraelin kundër sulmit të Hamasit, ku do të takohet me zyrtarë të lartë izraelitë, transmeton Anadolu.

Transmetuesi publik izraelit KAN tha se Macron pritet të takohet me presidentin izraelit Isaac Herzog dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu më vonë gjatë ditës.

Sipas një deklarate nga zyra e tij, vizita e Macronit synon të nxisë lirimin e pengjeve që mbahen nga grupi palestinez Hamas në Gaza dhe gjithashtu të bëjë thirrje për rifillimin e një “procesi të vërtetë paqeje” midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Disa liderë evropianë zbarkuan në Izrael gjatë dy javëve të fundit për të treguar solidaritet me Izraelin kundër sulmit të Hamasit më 7 tetor, i cili la qindra izraelitë të vrarë dhe rreth 200 të tjerë që po mbahen peng nga grupi në Gaza.

Izraeli filloi fushatë të pamëshirshme bombardimi në Gaza pas sulmit ndërkufitar të Hamasit në qytetet kufitare izraelite më 7 tetor. Pothuajse 6.500 njerëz janë vrarë në konflikt, përfshirë të paktën 5.087 palestinezë dhe më shumë se 1.400 izraelitë.

“Në mesin e të vrarëve palestinezë janë 2.055 fëmijë, 1.119 gra dhe 217 pleq”, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra në një konferencë për media në qytetin e Gazës.

Ai tha se 15.273 njerëz u plagosën gjithashtu në sulmet izraelite.

Më shumë se 1.400 izraelitë janë vrarë në sulmet e Hamasit që nga 7 tetori, sipas autoriteteve izraelite.