“Kremator i vërtetë”, të mbijetuarit rrëfejnë sulmin vdekjeprurës izraelit ndaj spitalit në Gaza

Palestinezët që i mbijetuan sulmit izraelit që vrau qindra persona në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza, thanë se përjetuan një “kremator i vërtetë”, raporton Anadolu.

Mbrëmë, siç njoftuan zyrtarët palestinezë në enklavën e rrethuar, mbi 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza. Megjithatë, Izraeli ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ajror.

Menjëherë pas sulmit, një reporter i Anadolu-t dokumentoi skena nga sheshi i spitalit, me gjak dhe pjesë trupash të djegur të shpërndara nëpër zonë, ndërsa njerëzit kërkonin me dëshpërim kufomat e të afërmve që ndodheshin në spital në momentin e sulmit.

“Ne ishim në sheshin e spitalit dhe dëshmuam se po binin balona ndezëse nga qielli, të ndjekura nga raketa”, tha për Anadolu Karim Al-Baltaji, 20 vjeç.

“Unë pashë një kremator, njerëz që digjen, pemë që digjen, binin mbi qytetarët”. shtoi ai.

Al-Baltaji tha se u plagos në sulm dhe humbi vetëdijen dhe kur u zgjua, e gjeti veten në spital. Ai dhe familja e tij u detyruan të largoheshin nga shtëpia e tyre në lagjen Al-Rimal të Gazës për shkak të bombardimeve intensive izraelite.

Shkaku i sulmeve dhe granatimeve të vazhdueshme izraelite, ai tha se “nuk ka vend të sigurt në Gaza”.

Një banor tjetër, Azam Hamdan, 71 vjeç, për Anadolu tha: “Ajo që na ndodhi ishte një akt barbar që tejkaloi të gjitha masakrat, duke tejkaluar nazistët”.

Duke treguar momentet para sulmit, ai tha se ata ishin ulur kur një raketë goditi papritur.

Pasi ishte plagosur edhe vetë, Hamdan tha se gruaja e tij kishte humbur vetëdijen, por ai nuk mundi ta ndihmonte.

“Njerëzit u copëtuan dhe trupat ishin djegur”, tha ai, duke përshkruar incidentin.

Pas sulmit, zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, akuzoi Izraelin se “ka kryer një masakër si pjesë e një serie masakrash që ka kryer me vite kudo”.

Izraeli kërkon të “vrasë popullin palestinez, t’i shtyjë ata të emigrojnë dhe të largohen nga toka”, tha Qassem, duke shtuar se njerëzit e goditur në sulm kishin “shkuar në atë që ata e konsideronin një vend të sigurt në spital”.

“Por, okupimi shkel të gjitha zakonet dhe ligjet, duke vrarë njerëz në xhami dhe spitale, duke vrarë civilë në shtëpitë e tyre”, shtoi zyrtari i Hamasit.

Ai gjithashtu fajësoi SHBA-në, për të cilën tha se po i ofronin Izraelit mbështetje dhe mbulim politik dhe ushtarak.

Konflikti filloi më 7 tetor kur Hamasi filloi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional, që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Gaza tashmë po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore janë në mbarim e sipër.

Kreu i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet epike njerëzore”.

Të paktën 3.300 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa në palën izraelite shifra qëndron në mbi 1.400 të vrarë.