OBSH-ja reagon pas vrasjes së personelit të OKB-së nga bombardimet e Izraelit në Gaza

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha sot se civilët dhe punonjësit humanitarë nuk duhet të jenë në shënjestër mes tensioneve në rritje midis Izraelit dhe Hamasit, transmeton Anadolu.

Komentet nga Tedros Adhanom Ghebreyesus erdhën pasi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) tha se nëntë punonjës të saj janë vrarë nga sulmet ajrore në Rripin e Gazës që nga e shtuna.

“Ngushëllimet tona të përzemërta për familjet e tyre dhe të gjithë ekipin e UNRWA-së. OBSH-ja qëndron me ju”, tha Tedros, duke vënë në dukje se është i trishtuar thellësisht nga vdekja e kolegëve të tij në UNRWA.

“Civilët dhe punonjësit humanitarë nuk janë objektiv dhe duhet të mbrohen në çdo kohë”, shtoi ai.