Vdekja e Prigozhinit/ Putin: Brenda aeroplanit u hodhën granata dore, trupave duhej t’u ishte bërë testi i alkoolit
Sipas Vladmir Putinit, avioni me të cilin po udhëtonin mercenarët e Wagner-it bashkë me shefin e tyre, Yevgeny Prigozhin u rrëzua nga një granatë dore dhe jo nga ndonjë sulm me raketë.
Sipas liderit rus, granatat e dorës shpërthyen nga brenda aeroplanit duke bërë që mjeti fluturues të rrëzohej, duke i marrë jetën kështu Prigozhin-it.
Avioni privat Embraer me të cilin Prigozhin po udhëtonte për në Shën Petersburg u rrëzua në veri të Moskës duke vrarë të 10 personat në bord më 23 gusht, duke përfshirë dy figura të tjera kryesore të Wagner, katër truprojat e Prigozhin dhe një ekuipazh prej tre personash.
Sipas Putinit, anëtarët e Wagner-it mund të kenë qenë të dehur, ndërsa informacionet e tij, ai ia atribuoi Komitetit Hetimor të Rusisë.
“Fragmente granatash dore u gjetën në trupat e të vrarëve në aksident”, tha Putin në forumin “Valday”.