Elon Musk, pronari i aplikacionit X i njohur më parë si Twitter, tha se rrjeti social “mund të dështojë”. Ai e bëri njoftimin pasi një gabim në program bëri që fotot e postuara para dhjetorit 2014 të fshiheshin.
“E vërteta e trishtë është se aktualisht nuk ka ‘rrjete sociale’ të mëdha. Mund të dështojmë, siç parashikuan shumë, por do të bëjmë më të mirën”, ka shkruar Musk në platformën X (Twitter).
Gjatë fundjavës, një gabim në platformë bëri që fotot dhe lidhjet me postimet e bëra para dhjetorit 2014 të hiqen.
Gabimin e vunë re disa përdorues dhe ndër ata që e theksuan ishte teknologu Tom Coates, i cili e quajti problemin “vandalizëm epik nga Musk”, transmeton Guardian.
Selfie e famshme e Ellen DeGeneres nga Oscars 2014 u hoq gjithashtu, por më vonë u rivendos. Fotoja u bë fotografia më e shpërndarë në platformë ndonjëherë, me më shumë se dy milionë shpërndarje.
Postimi viral i ish-presidentit amerikan, Barack Obama, pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2012 ka mbetur i pandryshuar.
Disa përdorues spekuluan se gabimi ishte shkaktuar nga një përpjekje për të kursyer në kostot e ruajtjes së të dhënave, ndërsa të tjerë ia atribuan atë ndryshimeve të bëra në platformë në 2016 kur u shtua “pasurimi i përmirësuar i URL-së”, i krijuar për të shfaqur pamjet e faqeve të internetit të lidhura jashtë kufijve të kompanisë prej 140 karakteresh.