VLEN i përgjigjet Ali Ahmetit: Ju nuk arritët ta bëni gjuhën shqipe plotësisht të barabartë me maqedonishten

VLEN i është përgjigjur publikisht letrës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një pamflet propagandistik, që sipas saj synon të krijojë konfuzion dhe të thellojë përçarjet te qytetarët.

Në reagimin e saj, VLEN rikujton se gjatë viteve 2008, 2011 dhe 2018, në tri mandate të ndryshme qeveritare, Ahmeti dhe partia që drejton kanë miratuar tri ligje të ndryshme që rregullojnë përdorimin e gjuhës shqipe.

Sipas VLEN-it, këto zgjidhje ligjore kanë ndryshuar nga një periudhë në tjetrën, duke e cilësuar gjuhën shqipe herë si „gjuhë të 20 përqindëshit“, e herë përmes formulimeve dhe fusnotave të ndryshme.

Në reagim, VLEN kritikon veçanërisht miratimin e ligjit në vitin 2008, duke pretenduar se ai ishte miratuar me procedurë të shkurtuar, pa debat parlamentar, pa diskutim në seancë plenare dhe pa amendamente.

„Në heshtje, sikur nga turpi, e kontrabanduat ligjin për gjuhën shqipe, pikërisht atë ligj për të cilin sot flisni me kaq zjarr!“, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Më tej, nga kjo parti vlerësojnë se gjatë viteve të qeverisjes së BDI-së nuk është arritur që gjuha shqipe të bëhet plotësisht e barabartë me gjuhën maqedonase në nivel institucional.

VLEN akuzon gjithashtu BDI-në se çështjen e gjuhës shqipe e ka përdorur si instrument politik, ndërsa zgjidhjet e pjesshme ligjore, sipas saj, vazhdojnë të prodhojnë pasoja edhe sot.

Në fund të reagimit, VLEN rikujton deklaratat e mëparshme të Ali Ahmetit për kompromiset politike dhe pretendon se, në momentet kur kërkohej zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, ai i kishte arsyetuar zgjidhjet e arritura si kompromise ndërmjet palëve.

VLEN i referohet edhe një deklarate të mëparshme të Ahmetit, sipas së cilës gjuha shqipe dhe përdorimi i saj zyrtar nuk përbënin prioritet për t’u zgjidhur.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo