Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka thënë gjatë ditës së sotme se është njoftuar që është shënjestër e një hetimi për trazirat e 6 janarit dhe për përpjekjet që të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Me gjuhë të ashpër si zakonisht, Trumpi ka thënë që Jack Smithi – ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë që përndiqte Hashim Thaçin – i ka dërguar një letër të dielen në mbrëmje duke i treguar se është shënjestër.
“I çmenduri Jac Smith, prokurori i Departamentit të Drejtësisë së Joe Bidenit, më dërgoi një letër (e përsëris, ishte e diele në mbrëmje!) duke thënë që isha SHËNJESTËR i hetimeve të Jurisë së Madhe për 6 janarin, duke më dhënë mua një kohë shumë të shkurtër katër ditore për të raportuar para jurisë, që gati gjithnjë nënkupton arrestim dhe aktakuzë,” – është shprehur z. Trump në llogarinë e tij në Truth Social, raporton NBC.
Sipas ish-presidentit amerikan kjo efektivisht nënkupton që Departamenti i Drejtësisë do të bëjë një padi të tretë, duke e akuzuar dhe arrestuar atë.
Trumpi shtoi se ai është kundërshtari numër 1 politik i Joe Bidenit që po e dominon atë në garën për president të Amerikës.
Nuk është ende e qartë se cilat janë akuzat ndaj ish-presidentit amerikan ose nëse edhe dikush tjetër e ka marrë një letër të tillë.