Në Zubin Potok protestuesit janë duke qëndruar para objektit të komunës, derisa situata vazhdon të jetë e qetë.
Me të përfunduar takimi i Hovenierit me kryetarët veriorë është lëshuar prapë alarmi i emergjencës për t’i ftuar njerëzit të tubohen, derisa nuk ka pasur tentime për t’u futur me dhunë brenda objektit të komunës.
Kujtojmë se perimetrin e gjerë të kësaj komune është duke e ruajtur KFOR-i.
11:20 – Drejtori i AKI-së shkon në Presidencë (FOTO)
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Petrit Ajeti, ka shkuar në Zyren e Presidentes Vjosa Osmani.
Me gjasë që ky është pjesë e takimit që po mbahet në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Takimi Osmani-Hovenier, po mbahet pasi ky i fundit zhvilloi një takim me dy kryetarët e zgjedhur të Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Pecit dhe Izmir Zeqirit.
______________________________________________________________________________________________________________________________________
11:10 – Protestuesit gjuajnë shishe drejt ushtarëve të KFOR-it
Protesta nga qytetarët serb në Zveçan po vazhdon edhe më tej.
Gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri i cili po qëndron atje, ka bërë të ditur se protestuesit kanë gjuajtur me shishe drejt ushtarëve të KFOR-it.
Tutje, ai bëri të ditur se në drejtim të tyre janë gjuajtur edhe gjësende të tjera.
10:56 – Qytetarët serb në Zveçan ia vendosin flamurin e tyre autoblindës së policisë (VIDEO)
Në Zveçan po vazhdojnë protestat nga serbët, duke kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri në objektin komunal.
E qytetarët serb kanë vendosur flamurin e tyre në autoblindën e policisë, njofton Klankosova.tv.
Më poshtë mund të shihni pamjet e realizuara nga Klan Kosova:
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.
10:42 – KFOR: Dialogu e vetmja rrugë për të ulur tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë
Misioni i NATO-s në Kosovë i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
KFORi thekson se kjo është e vetmja rrugë për të ulur tensionet.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione ose përshkallëzim”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Në reagim thuhet se janë të gatshëm që të ndërmarrin masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të qetë e të sigurt.
Mëngjesin e së hënës, misioni i Aleancës Veriatlantike në Kosovë ka shtuar praninë në katër komunat veriore.
“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtar”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e KFOR-it përcjell Klankosova.tv.
10:28 – KFOR-i dhe protestuesit në Zveçan bisedojnë për largimin e autoblindave të policisë
Protesta e serbëve po vazhdon edhe para komunës së Zveçanit.
Gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri, ka bërë të ditur se KFOR-i dhe protestuesit atje po bisedojnë për largimin e autoblindave të policisë.
Ai gjithashtu ka njoftuar protestuesit kanë bërë edhe shkrime në autoblinda.
10:25 – Hovenieri e përfundon takimin me kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit, shkon te Osmani
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e ka përfunduar takimin me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe kryetarin e Zveçanit, Ilir Peci, në zyrat e BE-së në Prishtinë.
Ai është nisur për në takim te presidentja Vjosa Osmani, derisa kreyarët veriorë po e vazhdojnë takimin me shefin e zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog, njofton Klankosova.tv
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe ai i Leposaviqit Lulzim Hetemi nuk kanë marrë pjesë në takimin e thirrur nga Hovenier.
10:19 – Protestuesit në Leposaviq këndojnë e vallëzojnë para objektit të komunës (VIDEO)
Në komunën e Leposaviqit po vazhdojnë protestat para objektit të komunës.
Gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani, i cili po qëndron atje, ka bërë të ditur rotestuesit kanë filluar të këndojnë e të vallëzojnë para këtij objekti.
Më poshtë mund t’i shihni pamjet e protestuesve të realizuara nga Klan Kosova:
10:00 – Hetemi i VV-së nuk shkon në takim te Hovenieri (VIDEO)
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovernier, i ka ftuar në takim kryetarët e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.
Ftesës i janë përgjigjur ai i Zubin Potokut Izmir Zeqiri, dhe i Zveçanit Ilir Peci.
Në takim nuk ka shkuar Lulzim Hetemi, i cili është kryetar i zgjedhur në Leposaviq dhe vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Siç raporton gazetari i Klan Kosovës Flamur Gajtani, ai dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sali Zyba, janë futur në komunë që nga ora 06:00 e mëngjesit.
______________________________________________________________________________________________________________________________________
09:43 – Kryetari i Zveçanit thotë se pas takimit me Hovenierin do të shkojë në zyrën e tij (VIDEO)
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, i ka thënë Klan Kosovës se pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier do të shkojë në zyrën e këtij, në komunën e Zveçanit, aty ku ka shkuar edhe të premtën.
Kështu ka bërë të ditur gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri, i cili po qëndron atje dhe i cili tha se protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë para objektit të komunës.
Ata po kundërshtojnë ardhjen e kryetarit të ri në objektin komunal dhe po kërkojnë me ngulm tërheqjen e forcave policore të Njesive Speciale të Policisë Kosovës nga objekti komunal dhe nga qyteti.
09:40 – Grenell për situatën në veri: Nga paqja me Trumpin, në kaos me Bidenin
Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell, ka reaguar për zhvillimet në veriun e Kosovës.
Ai tha se situata ka kaluar nga paqja me Donald Trumpin, në kaos me presidentin aktual të ShBA-ve Joe Biden.
“Trupat e NATO-s kanë marrë objektet në Kosovë. Trupat amerikane dhe paratë amerikane. Ne shkuam nga paqja dhe përparimi nën drejtimin e Trumpit, te kaosi dhe okupimi me trupa nën drejtimin e Bidenit”, shkroi ai në Twitter.
Në mëngjesin e së hënës një numër i protestuesve serbë kanë dal para objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Synimi i tyre është që të mos i lejojnë kryetarët e zgjedhur që të futen në komunë./ Klankosova.tv
____________________________________________________________________________________________________________________________________
09:28 – Situata në Zubin Potok vazhdon të jetë e qetë, kryetari në takim te Hovenieri (VIDEO)
Situata në komunën e Zubin Potokut vazhdon të jetë e qetë, me protestuesit që ndodhen para obljektit komunal.
Protestuesit nuk kanë tentuar të hyjnë me forcë në komunë, derisa kryetari i saj, Izmir Zeqiri, ndodhet në Prishtinë ku është duke zhvilluar takim me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Kujtojmë se perimetri i gjerë në këtë komunë është duke u monitoruar nga KFOR-i me ushtarë e mjete të rënda, njofton Klankosova.tv
Protestës i janë bashkuar edhe pjesëtarë të Listës Serbe, po ashtu edhe profesionistë shëndetësorë.
09:26 – Nis takimi i Hovenierit me kryetarët e komunave veriore
Ka filluar takimi i ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, me kryetarët e komunave veriore.
Në këtë takim po marrin pjesë kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci.
Pjesë e këtij takimi është edhe shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog.
Takimi i kryetarëve
09:15 – Nënkryetari i Listës Serbe dhe ish-kryetari i Leposaviqit kërkojnë të hyjnë në komunë, nuk lejohen nga KFOR-i (VIDEO)
Situatë e qetë paraqitet edhe në Leposaviq.
Nga afër po e përcjell situatën edhe gazetar i Klan Kosovës Flamur Gajtani.
Ai tha se në mesin e protestuesve serbë ishin edhe nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq dhe ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq.
Ata kërkuan që të hyjnë në objektin e komunës, por nuk u lejuan nga KFOR-i amerikan.
Një numër i protestuesve janë mbledhur afër objeteve komunale në tri komuna, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Synimi i tyre është që të pengojnë hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën në veri./ Klankosova.tv
______________________________________________________________________________________________________________________________________
09:04 – Hovenier dhe kryetarët e Zubin Potokut e Zveçanit arrijnë në takim (VIDEO)
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, do të takohet me kryetarët e komunave veriore.
Hovenier, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci tashmë kanë arritur në takim, përcjell Klankosova.tv.
Kujtojmë se takimi po mbahet në Zyrën e Bashkimit Evropian.
08:53 – Ushtari amerikan, ish-kryetarit të Leposaviqit: Nuk jam këtu për negociata (VIDEO)
Një numër i qytetarëve serbë po protestojnë në afërsi të objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Qëllimi i tyre është për të penguar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur në zyrat e tyre.
Për të ofruar siguri, KFOR-i amerikan ka vendosur një perimetër për të mos i lënë protestuesit që t’i ofrohen objektit të komunës.
E për të ‘negociuar’ me amerikanët kishin shkuar nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq dhe ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq.
Por, përgjigja e ushtarit amerikan ishte e prerë.
“Jemi këtu për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Nuk jam këtu për të negociuar. Unë i zbatoj udhrat”, dëgjohet ai duke i thënë ai atyre./Klankosova.tv
______________________________________________________________________________________________________________________________________
08:28 – Një orë nga grumbullimi i protestuesve, qetë në Zubin Potok (VIDEO)
Kanë kaluar më shumë se një orë që protestuesit janë mbledhur para komunës në Zubin Potok për të kundërshtuar punën e kryetarit të ri.
Deri tani nuk ka pasur ndonjë tension, megjithatë forcat e rendit po kujdesen në monitorimin e situatës.
Ka pasur vetëm një komunikim të shkurtër në mes policisë dhe protestuesve, derisa situata vazhdon të jetë e qetë, njofton Klankosova.tv
KFOR-i, kryesisht i Letonisë, është vendosur rreth perimetrit të komunës me mjete të rënda.
08:25 – Policia: Protestuesit tentuan të hynin me dhunë në objektet e komunave
Mëngjesin e së hënës një numër i protestuesve serbë kanë dal para objekteve të Kuvendeve Komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, për të penguar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Lidhur me këtë policia po i kryen angazhimet e saj operative për të ofruar siguri.
Organet e rendit bëjnë të ditur se protestuesit kishin tentuar që të kalonin kordonët e sigurisë dhe të hynin me dhunë në komunë.
“Protestat pranë komunave veriore janë duke vazhduar, Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën, njëkohësisht fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv
____________________________________________________________________________________________________________________________________
08:18 – Zveçan: Protestuesit refuzojnë të krijojnë hapësirën e kërkuar nga KFOR-i, Rakiq thotë se ata do të revoltohen
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari, Igor Simiq, kanë shkuar në Zveçan dhe të dy po vazhdojnë të qëndrojnë bashkë me qindra protestues.
Gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri, ka bërë të ditur se para objektit të komunës është vendosur kordoni i KFOR-it, i cili pasohet nga ai i policisë.
KFOR-i ka kërkuar që të krijohet hapsirë, por kjo nuk është pranuar nga protestuesit, madje Rakiq ka thënë se njerëzit nuk do ta dëgjojnë këtë kërkesë, duke paralajmëruar edhe se ata do të revoltohen.
08:08 – Rakiq dhe Simiq në Zveçan flasim me KFOR-in dhe policinë, kanë dy kërkesa
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari, Igor Simiq, kanë shkuar në Zveçan, duke iu bashkuar protestuesve atje.
Kështu ka bërë të ditur, gazetari i Klan Kosovës i cili po qëndron atje, Drin Demiri, i cili tha se Rakiq dhe Simiq kanë biseduar me KFOR-in dhe policinë, duke shpalosur kështu dy kërkesa.
Ata kanë kërkuar tërheqjen e Policinë e Kosovës nga ndërtesat e komunave si dhe mosardhjen e kryetarëve në këto objekte.
08:01 – Rakiq dhe Simiq iu bashkohen protestuesve në Zveçan
Shumë protestues janë mbledhur para objektit të komunës së Zveçanit.
Kështu ka bërë të ditur, gazetari i Klan Kosovës i cili po qëndron atje, Drin Demiri.
Gjithashtu edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari, Igor Simiq, kanë shkuar në Zveçan, duke iu bashkuar protestuesve atje.
07:52 – Në Leposaviq KFOR-i amerikan krijon perimetër, derisa protestuesit mblidhen (FOTO)
KFOR-i amerikan ka krijuar perimetër në Leposaviq për të pasur nën kontroll situatën në këtë komunë, pasi sot do të dalë në punë kryetari i ri.
Protestuesit serbë si edhe në komunat e tjera veriore veçse janë mbledhur për të kundërshtuar udhëheqjen e kryetarit të ri, njofton Klankosova.tv
Ndërkaq policët e Kosovës gjenden brenda komunës.
07:41 – Kryetarët e komunave veriore sot takohen me ambasadorin Hovenier
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, sot do të zhvillojë një takim me kryetarët e komunave veriore.
Bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në Prishtinë, me fillim nga ora 09:00, përcjell Klankosova.tv.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.
07:31 – KFOR-i ruan sigurinë e objekteve të komunave veriore
KFOR-i është duke e ruajtur sigurinë e objekteve të komuanve në veri të vendit, aty ku sot do të nisin punën kryetarët e rinj.
Pjesëtarët e policisë së Kosovës gjenden në afërsi të objekteve komunale duke e përcjellë gjendjen.
Në Zubin Potok e Zveçan veçse janë mbledhur protestuesit serbë për të kundërshtuar udhëheqjen e kosovarëve në këto komuna.
Në Zveçan madje protestuesit tentuan të hynin edhe në objektin e komunës, por u shpërndanë me gaz lotsjellës nga policia.
07:31 – Protestuesit tentojnë të futen në komunën e Zveçanit, shpërndahen me gaz lotësjellës nga policia (VIDEO)
Protestuesit i janë afruar objektit të komunës në Zveçan, duke tentuar që të futen brenda në objekt.
Gazetari i Klan Kosovës i cili gjendet atje, Drin Demiri, ka bërë të ditur se pas këtij tentimi, ata janë shpërndarë me gaz lotësjellës nga Policia e Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se kryetari i ri i kësaj komune, Ilir Peci ende nuk kanë dalë në punë, përcjell Klankosova.tv.
Kujtojmë se nga ora 09:00, kryetarët e katër komunave veriore do të zhvillojnë një takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.
07:20 – Protestuesit serbë mblidhen në Zubin Potok (FOTO)
Në Zubin Potok, aty ku sot do të nisë punën kryetari kosovar Izmir Zeqiri, veçse kanë nisur të mblidhen protestuesit serbë për të kundërshtuar udhëheqjen e tij në këtë komunë.
Të gjitha rrugët rreth objektit komunal si dhe përgjatë magjistrales janë siguruar nga forcat e KFOR-it, kurse policia e Kosovës ndodhet në hyrje të objektit të komunës.
Kryetari Zeqiri ende nuk ka dalë në punë.
06:54 – Kryetarët veriorë sot nisin punën në komuna
Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, sot do të nisin punën zyrtarisht në këto komuna.
Kujtojmë se të premtën pati tensione me shkuarjen e tyre nëpër objektet komunale, ku edhe u ngritën flamujt e Kosovës e u hoqën ata serbë.
Për situatën në veri kanë reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë bërë thirrje të mos ketë provokime dhe çështjet të zgjidhen me dialog.