Hovenier: Në rast marrëveshjeje në Ohër, Kosovën do ta mbështesim fuqishëm për anëtarësim në NATO

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në rast se Kosova arrin marrëveshje me Serbinë në Ohër më 18 mars, ajo do ta ketë një mbështetje të shtuar të ShBA-së për anëtarësim në NATO.

Sipas tij, me arritjen e kësaj marrëveshje, Kosova do të dëshmonte që suksesshëm ka arritur të kontribuojë në këtë drejtim.

“Disa elemente të kësaj marrëveshje funksionojnë vetëm nëse ka marrëveshje ndërmjet të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne besojmë se Kosova duhet ta zbatojë atë. Ne kemi folur shumë rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ne besojmë se është një obligim i mëhershëm i Kosovës dhe ne besojmë se është i mirë për Kosovën, pasi që ajo do të ishte më e suksesshme në adresimin e shqetësimeve të komunitetit serb”.

“Fokusi ynë të shtunën është që të ketë një rezultat të suksesshëm dhe ajo që po bëjmë ne, është se po punojmë shumë me Prishtinën dhe Beogradin që të ndihmojmë të krijohen kushtet për të ndodhur marrëveshja”.

Ai ka shtuar se është duke parë mundësi reale për progres dhe se një marrëveshje është e mundshme në Ohër.

“Për vite me radhë, ShBA-ja e ka shprehur vizionin e saj dhe ai është që Kosova të zë vendin e saj në familjen evropiane dhe në NATO. Vizioni ynë është i qartë, që Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s dhe kjo është çështje se si të arrihet deri aty”.

“Në këtë ngjarje, ne arrijmë një marrëveshje në Ohër dhe Kosova shihet si një palë që suksesshëm ka kontribuuar që të arrihet kjo marrëveshje, unë mendoj se do ta shihni një aktivitet të ripërtërirë të ShBA-ve dhe do ta shihni realizimin e këtij vizioni”.

“Më duhet ta përmend edhe një pikë tjetër: NATO merr vendime me konsensus, të gjitha vendimet arrihen me konsensus. Nuk mund të premtoj se aspirata që populli i Kosovës ka mund të arrihet menjëherë, por atë që mund të them është se ju do ta shihni një aktivitet më të shtuar të ShBA-ve në mbështetje të këtij qëllimi”.

13:11 – Hovenier: S’ka dyshim se çfarë pret ShBA-ja, Kosova të shfrytëzojë mundësinë në Ohër

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, edhe një herë e ka theksuar qëndrimin e shtetit që ai e përfaqëson, duke thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë që të arrijë marrëveshje me Serbinë në takimin e radhës që do të mbahet me 18 mars në Ohër.

Sipas tij, të gjitha vendet që kanë qëndruar pranë Kosovës drejt rrugëtimit të saj si shtet, janë të pajtimit se kjo marrëveshje do t’i sjellë benefite Kosovës dhe rajonit, njofton Klan Kosova.

“Më duhet të theksoj se për ata që kanë qenë duke i ndjekur zhvillimet në Kosovë për një kohë të gjatë, ky është një moment i jashtëzakonshëm që ka bashkuar kancelarin gjerman, presidentin francez, kryeministren italiane, letra nga presidenti Biden, deklarata nga sekretari Blinken, përfshirje nga përfaqësues të lartë të BE-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar”.

Hovenier: S’ka dyshim se çfarë pret ShBA-ja, Kosova të shfrytëzojë mundësinë në Ohër

“Të gjitha këto vende që e kanë mbështetur Kosovën, besojnë se kjo është një gjë shumë e mirë dhe kanë bërë përpjekje të mëdha që të arrihet një sukses në negociata”.

“Pra nuk ka dyshim rreth asaj se si ShBA-ja e sheh këtë mundësi. Diplomacia jonë ka qenë që ta inkurajomë palën kosovare që ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe që Kosova t’i shfrytëzojë të mirat që sjellë kjo marrëveshje”.

12: 53 – Hovenier: Në Ohër s’do të diskutohen 11 pikat e planit të BE-së, por implementimi i tyre

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet në Ohër më 18 mars, nuk do të negociohet për 11 pikat e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, në Ohër do të diskutohet për implementimin e këtyre 11 pikave në mënyrë efektive dhe të suksesshme, njofton Klan Kosova.

“Nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky është një moment për ta avancuar integrimin e Kosovës në BE dhe Kosova ta marrë rolin e saj në Ballkanin Perëndimor si vend i pavarur dhe sovran”.

Ambasadori Hovenier në diskutimin me gazetarë
“Këtë marrëveshje për të cilën po punohet dhe për implementimin e të cilës do të negociohet në Ohër këtë vikend, ne e konsiderojmë si një hap shumë të rëndësishëm përpara dhe ne mendojmë se një marrëveshje e plotë është pranë arritjes”.

“Ne besojmë se ky propozim me 11 pika për të cilin palët janë pajtuar, aneksi i implementimit që është duke u diskutuar, sjell benefite të mëdha praktike, politike dhe ekonomike”.

“Le të jem i qartë, 11 pikat aktuale nuk do të diskutohen. Kjo marrëveshje për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përmbyllur në Bruksel ku të dyja palët janë pajtuar se nuk do të ketë nevojë të diskutohet më tutje teksti në fjalë”.

Tutje, ambasadori në një takim me drejtues mediash dhe gazetarë theksoi se ShBA-ja nuk vlerëson se do të ketë një propozim tjetër për Kosovën dhe Serbinë, andaj sipas tij, ky është një moment shumë i rëndësishëm për të dyja palët.

“Ajo që do të diskutohet është aneksi për çështjet që do të zbatohen këto principe dhe si të bëhet kjo në mënyrë efektive. Ky është fokusi ynë kryesor, një implementim efektiv dhe i suksesshëm”.

“Më duhet të jem i qartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk vlerësojnë se një marrëveshje më e mirë është në dispozicion tani, ky është një hap i madh përpara. Është një mundësi e jashtëzakonshme. E avancon stabilitetin rajonal, i ripozicionon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë drejt një ‘status quo-je’ shumë më të mirë.

Hovenier thotë se ShBA-ja qëndron prapa pozicionit që ka mbajtur për vite, e që ka të bëjë me arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që ka në qendër të saj njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Gjatë këtij takimi me drejtues mediash dhe gazetarë, i dërguari i Washingtonit në Kosovë, gjithashtu tha se Amerika pret që të shtunën në Ohër, të ketë një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, plani evropian që ka mbështetjen e vendit të tij, është marrëveshja më e mirë që mund t’u ofrohet palëve për momentit.

Hovenier ka theksuar mes tjerash se nuk pritet që ShBA-ja ose ndonjë palë tjetër të ofrojë ndonjë propozim tjetër për ujdi mes Kosovës e Serbisë, nëse kjo aktualja dështon.

ShBA-ja pret marrëveshje në Ohër, të shtunën

Ambasadori amerikan në Kosovë ka deklaruar mes tjerash se palët duhet ta shfrytëzojnë momentumin dhe të pajtohen për marrëveshje, duke qenë në dijeni për fokusin e madh që janë duke e shfaqur Amerika, BE-ja dhe shtetet si Franca, Gjermania e Italia, krerët e të cilave janë direct të përfshira në këtë proces.