Hetim për veprimet e policisë / 12 eurodeputetë letër Kaja Kallas për protestat, mes firmëtarëve edhe Beleri

Protestat në Shqipëri dhe veprimet e policisë gjatë tubimeve kanë mbërritur në vëmendjen e Parlamentit Europian.

Dymbëdhjetë eurodeputetë, pjesa më e madhe të grupimit të djathtë të Partisë Popullore Europiane (PPE), i janë drejtuar me pyetje Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Mes firmëtarëve është edhe eurodeputeti Fredi Beleri. Nisma është ndërmarrë nga kreu i delegacionit austriak të PPE-së, Reinhold Lopatka, ndërsa eurodeputetët që i janë bashkuar kërkesës janë pjesë e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

Në fokus të kërkesës janë pretendimet për përdorim joproporcional të forcës nga policia gjatë protestave, respektimi i të drejtave të personave të ndaluar, veçanërisht të miturve, si dhe masat që mund të ndërmerren për të parandaluar shkelje të tjera.

Eurodeputetët i referohen raportimeve sipas të cilave përdorimi i plumbave të gomës nga policia ka shkaktuar plagosjen e protestuesve dhe gazetarëve. Në dokument përmendet gjithashtu hetimi i Avokatit të Popullit mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e forcës së përdorur nga efektivët.

Në letrën drejtuar Kallas thuhet se deklarata e Komisionit Europian e 18 tetorit dënoi dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, por sipas firmëtarëve nuk e trajtoi mjaftueshëm çështjen e llogaridhënies. Ata argumentojnë se respektimi i të drejtave themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të jenë pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Eurodeputetët kërkojnë të dinë se çfarë hapash do të ndërmarrë Përfaqësuesja e Lartë, përmes Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për t’i ngritur këto shqetësime drejtpërdrejt me autoritetet shqiptare.

Një prej kërkesave është zhvillimi i hetimeve të pavarura, të paanshme dhe efektive për përdorimin e forcës nga policia, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e pretenduara të të drejtave të personave të ndaluar. Në këtë kuadër kërkohet edhe shqyrtimi i përgjegjësisë së drejtuesve të operacioneve policore, publikimi i rezultateve të hetimeve dhe, kur është e nevojshme, marrja e masave gjyqësore ose disiplinore.

Një tjetër pikë lidhet me personat e ndaluar dhe veçanërisht me të miturit. Eurodeputetët kërkojnë garanci që atyre t’u sigurohen të gjitha të drejtat e parashikuara nga legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përfshirë bashkëpunimin me Avokatin e Popullit dhe monitorimin e pavarur.

Në fund, 12 eurodeputetët e lidhin çështjen edhe me negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ata kërkojnë që detyrimet e vendit në kuadër të Grupkapitullit 1, “Themeloret”, veçanërisht për llogaridhënien e policisë dhe respektimin e të drejtave themelore, të ndiqen konkretisht në rastet ku konstatohen mangësi.

Sipas tyre, duhet të përcaktohen angazhime të matshme për adresimin e problematikave dhe parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo