Kërkesë për vëmendje institucionale ndaj të drejtave të njeriut, demokracisë dhe interesit publik në Shqipëri
LETER E HAPUR DREJTUAR INSTITUCIONEVE DANEZE DHE EVROPIANE
Shkruan: Xhemil Zeqiri
Lënda: Kërkesë për vëmendje institucionale ndaj të drejtave të njeriut, demokracisë dhe interesit publik në Shqipëri
Të nderuar përfaqësues të institucioneve daneze dhe evropiane !
Unë, Xhemil Zeqiri, veprimtar për të drejtat e njeriut prej pesë dekadash, po ju drejtohem për të shprehur shqetësimin tim lidhur me disa nga padrejtësitë historike ndaj popullit shqiptar dhe zhvillimet e fundit politike e shoqërore në Shqipëri.
Si shqiptar me prejardhje nga Ballkani shtetas Daneze, e ndiej si detyrë të kërkoj vëmendjen tuaj për çështje që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe interesit publik, si edhe me ruajtjen e trashëgimisë historike e kulturore Shqiptare.
1). Padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve
Pas përfundimit të sundimit osman, populli shqiptar u përball me konflikte, shpërngulje, ndarje territoriale dhe humbje të mëdha njerëzore. Gjatë Luftërave Ballkanike, shqiptarët pësuan dhunë dhe humbën shumë jetë njerëzish, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
Shqiptarët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur gjuhën, kulturën, traditat dhe identitetin e tyre historik. Trashëgimia e lashtë e rajonit vijon të jetë objekt studimesh historike dhe arkeologjike ndërkombëtare, ndër të tjera edhe përmes kërkimeve pranë Linit dhe Liqenit të Ohrit,duke paraqitur gjurmë të një kulture të lashte mbi 7.5000 vjeçare si populli me i vjeter dhe autokton i Europes.
2). Kontributi në Luftën Antifashiste
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët kontribuuan në luftën kundër nazizmit dhe fashizmit, si dhe në çlirimin e vendit. Ata u rreshtuan në krah të koalicionit antifashist dhe të forcave aleate. Ky kontribut ndihmoi në ruajtjen dhe konsolidimin shtetësisë shqiptare. Megjithatë, çështjet që lidhen me të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë mbetën të pazgjidhura.
3). Demokracia dhe e drejta për përfaqësim
Në vitet 1990, shqiptarët e përqafuan demokracinë me shpresën se çështjet politike, shoqërore dhe kombëtare do të trajtoheshin në mënyrë paqësore, përmes institucioneve demokratike dhe vullnetit të lirë të qytetarëve. Megjithatë, tranzicioni i gjatë ka sjellë zhgënjim dhe mosbesim. Partitë politike janë akuzuar shpesh për manipulim të institucioneve, dobësim të demokracisë dhe mospërfillje të interesit publik.
4). Shqetësimet për zhvillimet e fundit në Shqiperi
Gjatë gjashtë muajve të fundit, situata politike dhe shoqërore në Shqipëri është tensionuar. Protestat e studentëve, intelektualëve dhe qytetarëve në Tiranë kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën se si kanë reaguar autoritetet dhe me pretendimet për përdorim të dhunës ndaj protestuesve.
Tensionet lidhen, ndër të tjera, me dy ligje të kundërshtuara nga qytetarët, mbrojtjen e territorit dhe të interesit publik, si dhe proceset e privatizimit. Sipas shqetësimeve të ngritura, këto procese nuk garantojnë transparencë të mjaftueshme dhe nuk i përmbushin plotësisht kriteret demokratike, ligjore, shoqërore dhe historike.
5). Kërkesat drejtuar institucioneve
Për këto arsye, u kërkoj institucioneve daneze dhe evropiane:
-Të monitorojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së tubimit paqësor në Shqipëri.
-Të kërkojnë një hetim të pavarur për çdo pretendim lidhur me përdorimin e tepruar të forcës ndaj studentëve, intelektualëve dhe qytetarëve protestues.
-Të shqyrtojnë përputhshmërinë e ligjeve të kundërshtuara me standardet evropiane, shtetin e së drejtës dhe interesin publik.
-Të nxisin transparencën dhe llogaridhënien në proceset e privatizimit dhe në administrimin e pronës e të pasurive publike.
-Të mbështesin dialogun demokratik ndërmjet institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, studentëve, intelektualëve dhe qytetarëve.
-Të mbështesin mbrojtjen e trashëgimisë historike, arkeologjike dhe kulturore shqiptare, në përputhje me standardet shkencore ndërkombëtare.
-Të kërkojnë që çdo proces politik dhe ligjor të zhvillohet pa diskriminim dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor.
Besoj se demokracia, drejtësia dhe të drejtat e njeriut duhet të qëndrojnë mbi interesat partiake e politike.
Institucionet evropiane kanë përgjegjësi të rëndësishme për të mbështetur sundimin e ligjit, liritë qytetare dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Me mirëkuptimin tuaj kërkoj që këto shqetësime të shqyrtohen dhe që, në përputhje me kompetencat tuaja, të ndërmerren hapa për monitorim, dialog dhe reagim institucional.
Në fund të fundit, qëndrueshmëria e demokracisë varet nga besimi i qytetarëve se të drejtat, zëri dhe dinjiteti i tyre dëgjohen e mbrohen.
Kopenhagë- 10.10.2026
Xhemil Zeqiri