Doli për peshkim me të vëllanë, 26-vjeçari kap pa e ditur peshkun që i ndryshon jetën, vlen 1 milion dollarë

Një udhëtim i zakonshëm për peshkim është kthyer në momentin më të veçantë të jetës për një 26-vjeçar nga Darwini i Australisë, i cili ka kapur peshkun që i siguroi një çmim prej 1 milion dollarësh.

Matthew Maurice ishte duke peshkuar së bashku me vëllain e tij të vogël në Corroboree Billabong, në një zonë të njohur për peshkim në Territorin Verior, kur vuri re një barramundi 80 centimetra të gjatë, me një etiketë të kuqe të varur në trup.

Në fillim, i riu nuk e kuptoi plotësisht rëndësinë e asaj që kishte kapur. Sapo dalloi etiketën, në varkën e vogël nisi paniku dhe emocionet arritën kulmin.

“E pashë peshkun të kërcente brenda 10 sekondave të para dhe vura re një etiketë të kuqe të ndezur. Pasuan dy minuta panik absolut. Madje, nuk e mbaj mend as momentin kur e nxora me rrjetë”, tregoi Maurice.

Kapja e tij u konfirmua si fituese e çmimit të madh në konkursin “Million Dollar Fish”, duke e bërë atë personin e dytë në historinë 12-vjeçare të këtij aktiviteti që fiton shumën prej 1 milion dollarësh.

I emocionuar nga lajmi, 26-vjeçari vendosi të telefononte menjëherë familjen për t’u treguar se tashmë ishte bërë milioner.

Telefonata e parë ishte për nënën e tij, të cilës i tha: “Jam milioner, mami!”.

Reagimi i saj ishte po aq befasues. Nëna mezi arrinte të fliste nga emocionet, ndërsa i biri i kërkoi me shaka që të mos shkonte në lokal për t’ua treguar lajmin të gjithëve.

Edhe babai i tij fillimisht nuk arriti ta besonte atë që po dëgjonte, derisa i riu e siguroi se gjithçka ishte e vërtetë.

“Jam shumë krenar për ty”, i tha i ati, duke shtuar se tashmë ai e kishte të siguruar jetën.

Sa i përket mënyrës se si do ta shpenzojë shumën e fituar, Maurice tha se synon të tregohet i kujdesshëm. Ai dëshiron të blejë një shtëpi, të shlyejë detyrimet financiare dhe më pas t’i lejojë vetes edhe ndonjë kënaqësi.

Konkursi “Million Dollar Fish” organizohet për të tërhequr turistë dhe peshkatarë drejt Territorit Verior të Australisë, veçanërisht gjatë muajve më të qetë të sezonit të shirave.

Edicioni aktual përfshin një peshk të vetëm me etiketë që vlen 1 milion dollarë dhe 100 peshq të tjerë barramundi, secili me çmim prej 10 mijë dollarësh. Gara do të vijojë deri në mars të vitit 2027, ndërsa deri më tani janë kapur katër prej peshqve me çmim 10 mijë dollarë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo