Shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminalistike të Serbis, Marko Kriçak, është arrestuar mëngjesin e sotëm me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton „Radar“ i N1 Beograd. Sipas të njëjtit burim, në bazë të të njëjtit kallëzim penal të paraqitur nga avokati i zëvendësdrejtorit të Policisë, Veselin Miliq, është ndaluar edhe shefi i Shërbimit për Luftimin e Krimit, Boshko Sekulloviq.
Kriçak drejtoi aksionin policor pas vrasjes së Aleksandar Neshoviqit, i njohur me nofkën Baja, e kryer në restorantin „27“ në lagjen Senjak. Në këtë rast, fillimisht me kallëzim penal të policisë ishte përfshirë edhe ndihmësdrejtori i atëhershëm dhe shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, raportoi 4news.mk.
Tani, siç shkruan „Radar“, Kriçak dyshohet se në këtë rast ka falsifikuar prova dhe ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe të dyshuarve, me qëllim që faktet të përshtateshin me një version të ngjarjeve të krijuar paraprakisht.
Në fund të muajit korrik, përfaqësuesit ligjorë të Miliqit paraqitën kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, në Departamentin e Posaçëm për Luftimin e Korrupsionit, kundër Kriçakut dhe Sekulloviqit, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin „Senjak 27“, në dëm të Miliqit.
Në një njoftim të zyrës ligjore „Vasiljeviq Legal“ thuhej se, sipas tyre, të kallëzuarit nuk i kishin dorëzuar prokurorit kompetent provat që dispononin, të cilat, siç pretendohet, tregonin qartë se faktet e paraqitura në kallëzimin penal kundër Miliqit nuk ishin të vërteta. Kjo, sipas tyre, ishte konfirmuar edhe përmes hedhjes poshtë të të gjitha pretendimeve të kallëzimit penal dhe plotësimeve të tij.
Në atë kohë, ata vlerësuan se, përmes veprimeve të paligjshme dhe të motivuara nga interesa personale, personat e kallëzuar e kishin diskredituar Miliqin në opinionin publik dhe kishin ndikuar në largimin e tij nga detyra e shefit të Drejtorisë së Policisë së Qytetit të Beogradit.
Kujtojmë se ish-shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, ishte arrestuar më 12 maj, së bashku me 10 persona të tjerë, për shkak të vrasjes së Aleksandar Neshoviqit, i njohur si Baja, në restorantin „27“ në Senjak.
Dyshohet se ndaj Neshoviqit kishte qëlluar Sasa Vukoviq, i njohur me nofkën Boske. Fillimisht ekzistonin dyshime se krimi ishte kryer në praninë e Miliqit dhe se ai, së bashku me tre policë të tjerë nga sigurimi i tij, kishte marrë pjesë në largimin e gjurmëve nga vendi i ngjarjes.
Më 3 qershor, Prokuroria e Lartë Publike njoftoi se kallëzimi penal kundër tre policëve ishte hedhur poshtë për shkak të mungesës së provave.
Miliqi ishte marrë në pyetje për herë të parë më 15 maj, ditën e arrestimit, kur kishte paraqitur mbrojtjen e tij. Të nesërmen, ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë.
Ai ishte marrë sërish në pyetje më 3 qershor, për shkak të provave të reja, njoftoi Prokuroria e Lartë Publike.
Më 29 maj ishte kryer kontroll në banesën e tij dhe në ambientet zyrtare, 14 ditë pas arrestimit. Avokati i tij, Nemanja Vasiljeviq, pas marrjes së dytë në pyetje, u kishte dorëzuar mediave një pjesë të deklaratës së pretenduar të Miliqit, në të cilën ai akuzonte kolegët se po i kurdisnin një rast dhe se provat e përmendura në kallëzimin penal nuk i ishin paraqitur prokurorit.
Më 9 qershor, Prokuroria e Lartë Publike hodhi poshtë kallëzimin penal kundër Miliqit në pjesën që kishte të bënte me veprën penale „ndihmë autorit pas kryerjes së veprës penale“ në restorantin „27“ në Senjak, raportoi 4news.mk.
Më 6 korrik, Këshilli i Gjykatës së Lartë në Beograd vendosi që Miliqi të mbrohej në liri.
Ndërkaq, më 10 korrik, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd dorëzoi në Gjykatën e Lartë propozim-akuzën kundër Miliqit, nën dyshimin se nuk kishte raportuar një vrasje të rëndë, për të cilën kishte marrë dijeni gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, si dhe se në një shënim zyrtar kishte përfshirë të dhëna të pavërteta dhe kishte lënë jashtë fakte të rëndësishme lidhur me kontaktet e tij me personat e përfshirë në ngjarje.
Trupi i pajetë i Neshoviqit, kujtojmë, ishte gjetur më 21 maj në një fuçi në territorin e komunës së Inxhisë, në prani të prokurorëve publikë nga Prokuroria e Lartë Publike.